Maqedoni
Negociatat Maqedoni - Greqi, Zaev: Në takimin në Sofje nuk do të zgjidhet gjithçka
14.05.2018 16:55
Në takimin e paralajmëruar midis kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe atij grek....

Në takimin e paralajmëruar midis kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe atij grek, Alexis Tsipras, që pritet të ndodhë në Sofje, nuk pritet marrëveshje përfundimtare lidhur me çështjen e emrit. I pyetur për këtë, Zaev tha se ai takim nuk është nga ato të caktuarat që i prisnim, por në margjinat e Samitit të BE-së, ku do të jenë të pranishëm të gjithë kryeministrat e BE-së, si dhe të gjithë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor si vende kandidate për anëtarësim në BE. Ai shtoi se kanë ngelur çështje thelbësore për t’u diskutuar dhe se nuk janë të sakta informacionet se më 17 maj gjithçka do të zgjidhet.
“Qëllimi është të bëjmë një rikapitullim të asaj çfarë kemi diskutuar deri më tani, ta konfirmojmë dhe ta dimë se e kemi kryer, në të njëjtën kohë t’u japim udhëzime edhe ministrave. Unë besoj se para së gjithash duhet të jemi të përkushtuar dhe kreativë. Do të kisha dëshiruar që diku para Samitit të Këshillit të Europës, dhe më pas Këshillit Europian, më 25, 26, 28 dhe 29 qershor, kur merren vendimet për marrjen e datës për bisedime ose jo, deri atëherë të kemi ndonjë zgjidhje dhe madje duhet të gjithë ta dimë se edhe po të kemi përafrim të qëndrimeve të asaj që ka mbetur, edhe në Greqi edhe Maqedoni, patjetër të kalojmë një proces të brendshëm të konsultimeve”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Zaev, ndërkohë, tha se është i gatshëm të zhvillojë takim liderësh me kërkesë të opozitës.
“Sot, pas kësaj ngjarje, jam i gatshëm të mbaj mbledhje me liderin e opozitës, nëse ai vlerëson se duhet të ketë. Ata kanë kërkuar takim liderësh, sido që të vendosin, unë qëndroj në dispozicion t’i informoj para se të shkojmë në takimin në Sofje. Gjithsesi, jam i gatshëm edhe pas Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje, ta ftoj takimin e liderëve, kur të gjithë do të ishin të pranishëm. Por, thirrja është nga lideri i opozitës dhe unë jam në dispozicion në koordinim me të, kështu edhe ta organizojmë takimin”, - tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Takimi Zaev - Tsipras në Sofje në kuadër të Samitit të vendeve anëtare dhe atyre kandidate për në BE do të jetë i dyti me radhë, pas atij në Davos të Zvicrës.
NAIM RAMADANI
