Maqedoni
Protesta afër Bit Pazari në Shkup, shitësit e larguar nga bulevardi kërkojnë zgjidhje
14.05.2018 17:09
Shitësit në Bulevardin “Kërste Misirkov”, pranë Bit Pazarit në Shkup...

Shitësit në Bulevardin “Kërste Misirkov”, pranë Bit Pazarit në Shkup, tanimë disa ditë me radhë po protestojnë pasi policia me urdhër të pushtetit lokal nuk u lejon të vazhdojnë tregtinë në bulevard. Ata kërkojnë që t’u gjendet një zgjidhje derisa tregu të rindërtohet, pasi, siç thonë ata, në rrethana kur tregu po rinovohet në mungesë të tezgave, ata do të mbeten pa punë.
“Protestoj sepse nuk na lejojnë që të shesim këtu, nuk kemi kushte tjera. Kërkojmë që edhe ne të kemi ndonjë tezgë, sepse brenda në treg nuk ka tezga. Ata thonë që brenda ka po për ne nuk ka”,- tha një protestues.
Gjatë kohës së protestës, Bulevardi “Kërste Misirkov” ishte i bllokuar për qarkullim të automjeteve, përfshi edhe transportin urban.
Por, nga Qyteti i Shkupit thonë se nuk do të devijojnë nga qëllimi për të liruar trotuaret përgjatë rrugëve të qytetit dhe bulevardet nga tezgat ilegale. Ky hap, sipas tyre, është për të mirën e qytetarëve.
Ndërkohë, aktivitetet ndërtimore në bulevard po vijojnë. Janë paraparë stacione të reja për taksi-vozitësit, staza për këmbësorë dhe shtigje çiklizmi, si dhe ulëse në të dyja anët e bulevardit.
SEDAT SELIMI
