Maqedoni
DMSh shënon 13 vjetorin e themelimit
14.05.2018 17:42
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka shënuar 13 vjetorin e themelimit...

Drejtori i kësaj drejtorie, Adnan Xhaferovski, në ceremoninë e këtij përvjetori tha se ky institucion është i përqendruar në krijimin e një sistemi për mbrojtje dhe shpëtim në nivel shtetëror, pajisjen e ekipeve të drejtorisë apo kthimin e një pjese të borxhit të trashëguar.
“Është bërë servisimi i avionëve dhe ata janë plotësisht të përgatitur për veprim. Është bërë pajisja e uniformave të reja për pilotë dhe do të ketë gjithashtu një furnizim me uniforma të reja për disa nga pjesëtarët e forcave të mbrojtjes dhe shpëtimit”,- tha drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Adnan Xhaferovski.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, vlerëson se koncepti i mbrojtjes dhe shpëtimit është një nga mekanizmat bazë, sipas të cilit mund të përfitohet një ide e qartë për kapacitetet, performancën dhe pjekurinë e një shoqërie, përkatësisht institucioneve të saj, për t'u përgjigjur në mënyrë efektive ndaj krizave dhe sfidave të mundshme.
“Në atë segment plotësues të aktorëve institucionalë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim zë një vend qendror si pjesë e paralajmërimit të hershëm, d.m.th. monitorimin dhe vlerësimin e situatës, si dhe në fushën e reagimit të drejtpërdrejtë ndaj situatave të rrezikut”,- theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Pas ceremonisë u bë një prezantim i pajisjeve dhe burimeve në dispozicion të DMSh-së. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është themeluar më 16 maj 2005 dhe është një organ autonom i Administratës shtetërore.
BESIM ABDULLAI
