Maqedoni

Rasti “Tanku”, Këshilli Gjyqësor i pranoi dëshmitë e reja të PPS-së

14.05.2018 18:11

Këshilli Gjyqësor pranoi dëshmitë e reja të PPS-së për rastin “Tanku”, të cilat ishin grumbulluar me lutje për dhënien e ndihmës ndërkombëtare...

PPS gjatë prezantimit të tyre tha se dëshmitë e shkruara në 58 faqe për këtë rast, kryesisht janë komunikime elektronike në gjuhën maqedonase, gjermane dhe angleze, midis kompanive “Daimler Benz” dhe “Mac Autostar”-it, që janë bërë para blerjes së “mercedesit” luksoz të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
 
Pala mbrojtëse përsëri u shpreh kundër shqyrtimit të dëshmive të parashtruara të PPS-së dhe njëherit i kërkoi trupit gjykues publikimin e dëshmive se “mercedesi” i vjetër në të cilin ishte vozitur aso kohe Gruevski ishte i amortizuar dhe duhej blerë makinë e re, hetim ky i cili u refuzua kategorikisht nga gjykatësja, Dobrilla Kacarska, me arsyetimin se e njëjta gjë ishte thënë më herët nga ana e dëshmitarëve të Gruevskit.
 
“Çdo dëshmi të re të propozuar nga pala mbrojtëse, PPS e kundërshton me justifikime të paarsyeshme dhe jologjike, sepse janë të vetëdijshëm se rasti në fjalë me të cilin mua më akuzojnë shkon drejtë dështimit. Janë të vetëdijshëm se ky rast është absurd, politikisht i montuar dhe i fabrikuar për të treguar me fuqi diçka që nuk ekziston, për këtë arsye çdo dëshmi e jona po kundërshtohet me të madhe”,- deklaroi i akuzuari në rastin “Tanku”, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski vlerësoi se rasti “Tanku”, rastet e tjera të PPS-së, bashkangjitur edhe deklaratat e fundit të kryeministrit Zaev, janë dëshmi se kanë për qëllim të persekutojnë politikisht Gruevskin, e jo për të ndarë drejtësi. 
 
Në rastin “Tanku” për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimit gjithashtu akuzohen edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe shefi i furnizimeve publike, Gjoko Popovski. Në seancën e ardhshme gjyqësore të caktuar për më 17 maj pritet të jepen fjalët përfundimtare të të dyja palëve.