Maqedoni
MASh: Vijojnë reformat në fakultetet e pedagogjisë
15.05.2018 14:28
Reformat në fakultetet e pedagogjisë janë të patjetërsueshme, andaj MASh po punon intensivisht në këtë drejtim....

Kështu vlerëson ministrja e Arsimit, Renata Deskovska - Trenevska, e cila shton se veç më janë marrë masa për stimulimin e nxënësve të shkëlqyeshëm, përmes dhënies së bursave për të regjistruar në fakultetet e pedagogjisë. Po ashtu është paraparë edhe zhvillimi i karrierës së mësimdhënësve, përmes edukimeve të vazhdueshme. Këto reforma bëhen me qëllim që fakultetet e pedagogjisë të rregullojnë vetë programet e tyre, në mënyrë që të ofrojnë kuadër sa më cilësor, meqë ato janë bazë për arsimimin e mirëfilltë të gjeneratave të reja.
“Në ligjin për arsimit sipëror ka dispozita që kanë të bëjnë me lirinë e fakulteteve pedagogjike, që vetë të rregullojnë programin e tyre dhe lëndët në mënyrë që të krijohen programe kompatibile me profilin e mësimdhënies. Sa i përket akademisë për mësimdhënës, e njëjta është anuluar sepse nevojitet debat serioze për reformat që do ndërmerren dhe statusin e akademisë”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska - Trenveska.
Pedagogët shprehen se nevojiten reforma rrënjësore, sidomos në avancimin e profesionit mësues, përmes trajnimeve shtesë.
“Do të pajtohemi të gjithë ne si mësimdhënës se investimi në profesionalizmin tonë do t’i përforcojë kompetencat që të posedojmë dhe do të aftësohemi për ligjërim fleksibil të përmbajtjeve mësimore”,- tha pedagogia, Elizabeta Sekirarska.
“Ne kemi ligje për momentin të cilat nuk janë në funksion dhe ligje që janë në funksion dhe nuk promovojnë zhvillim profesional ashtu siç duhet, andaj iu është lënë OJQ-ve, ambasadave, por nevojitet që Byroja për zhvillimin e arsimit dhe MASh ta marrin këtë rol”,- theksoi Lulzim Memeti nga UShT.
MASh po ashtu bëri të ditur se nga shtatori do të rriten pagat e arsimtarëve dhe ky trend do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme.
FLUTURA LATIFI
