Muaji i Ramazanit, O. H. “Hilal”, nisi “karavanin e mirësisë”

15.05.2018 15:01

Me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit, Organizata humanitare “Hilal”...

Me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit, Organizata humanitare “Hilal”, e cila funksionon në kuadër të BFI-së, dhe Myftinia e Shkupit,  kanë nisur karavanin e mirësisë. Në kuadër të këtij aksioni humanitar do të ndahen rreth 10 mijë pako me ushqime që do t’u mundësojnë familjeve në nevojë që sofrën e iftarit ta kenë sa më të begatë.

“Nisim aksionet humanitare që janë apostafat për këtë muaj të shenjtë. Kemi përgatitur një plan dhe program që sadopak mendojmë se është i begatshëm dhe do t’u dalim në ndihmë nevojtarëve. Fillojmë nga Shkupi, gjithsej do të ndajmë 10 mijë pako në tërë territorin e Maqedonisë”,- deklaroi Mustafa Dauti nga OH “Hilal”.

Karavanin e mirësisë e mbështet edhe Myftinia e Shkupit, duke ofruar ndihmë për distribuimin e ndihmave deri te qytetarët.

“Përgëzoj Organizatën humanitare “Hilal”, që funksionon në kuadër të BFI-së, për këtë gjest human njerëzor, që pikërisht në fillim të këtij muaji të bekuar të ramazanit të jetë më pranë besimtarëve myslimanë me këto ndihma që janë paraparë”,- tha kryetari i Myftinisë së Shkupit, Qenan Ismaili.

Me qëllim të distribuimit më të lehtë të ndihmave deri te qytetarët që kanë nevojë, Myftinia e Shkupit ato do t’i distribuojë brenda ditës nëpërmjet imamëve të xhamive, që qytetarët këto produkte ushqimore t’i kenë që sonte në tryezën e tyre të syfyrit të parë. (Gyltene Sinani, TVM2)