Maqedoni
Nesër nis Muaji i Ramazanit, Rexhepi: Dashuri, mirëkuptim e tolerancë
15.05.2018 15:28
Nesër është dita e parë e Muajit të Ramazanit, muajit të mëshirës, të faljes, të bereqetit dhe të mirësisë...

Ramazani është muaji në të cilin filloi zbritja e librit të shenjtë, Kuranit, udhëzuesit për mirëqenie të gjithëmbarshme njerëzore. Në mesazhin e tij, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, uroi besimtarët për agjërim të lehtë, lumturi familjare dhe mbi të gjitha solidaritet. Sipas tij, agjërimi nuk duhet kuptuar vetëm si abstenim i përkohshëm nga kënaqësitë trupore e shpirtërore. Agjërimi është një lloj marrëveshje unanime për të përcjellë mesazhe të përbashkëta.
“Muaji i Ramazanit është muaji i dritës, është muaji i Natës së Kadrit, muaj i të vetmes rrugë të drejtë, është muaj i ndriçimit të mendjes e të zemrës, është muaj i përkushtimit ndaj më të dashurve tanë, ndaj fqinjëve tanë, si dhe ndaj jetimëve, skamnorëve, të varfërve dhe ndaj atyre që janë në nevojë. Në këtë muaj të Agjërimit, jemi të nderuar si të përzgjedhur për të rrezatuar vetëm dashuri, mirëkuptim, tolerancë. Jemi të porositur që të mbajmë fort në dorë bajrakun e lirisë dhe të paqes. Nuk ka kacafytje, nuk ka nervozizma, nuk ka sharje e ofendime, sepse në këtë muaj ne agjërojmë, ne jemi më pranë Zotit, plot dashuri e respekt. Prandaj, motra e vëllezër, duke ju ftuar në agjërim, ju uroj një muaj të begatshëm me të gjitha të mirat e Zotit si dhe një agjërim të mbarë”,- deklaroi kryetari i BFIM-së, Sulejman Rexhepi.
