Botë

Vazhdojnë përplasjet në Gazë, rritet në 59 numri i viktimave, 2800 të plagosur

15.05.2018 15:45

Territoret palestineze vlojnë nga protestat e reja kundër Izraelit, një ditë pasi trupat izraelite hapën zjarr në Rripin e Gazës.

Numri i viktimave nga dje, sipas BBC-së, është rritur në 59, mbi 2800 janë të plagosurit. Sipas raportit të “Amnesty International”, midis viktimave ka edhe minorenë. E marta shënon 70 vjetorin e asaj që palestinezët e quajnë Nakba ose Katastrofa, që solli dëbimin e mijërave palestinezëve mes krijimit të Izraelit në vitin 1948. 
 
Tensionet do të jenë të larta në Gaza kur të vrarët do të varrosen. Palestinezët nuk janë entuziastë për hapjen e Ambasadës amerikane në Jerusalem. Ata pretendojnë Jerusalemin lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm palestinez dhe shohin lëvizjen e ShBA si mbështetje të kontrollit izraelit mbi të gjithë qytetin, të cilin Izraeli e konsideron si kryeqytetin e tij.
 
Zyrtarët palestinezë e konsideruan vrasjen e qytetarëve në protestën e djeshme, si një masakër dhe si ditën më vdekjeprurëse në Gaza që nga lufta e vitit 2014. Edhe OKB foli për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria e tij po vepronte në vetëmbrojtje kundër sunduesve islamikë të Gazës, “Hamas”, të cilët ai tha se donin ta shkatërronin Izraelin.