Botë

Hungari, Fondacioni i Sorrosit mbyll zyrën

15.05.2018 15:53

Fondacioni i filantropit “Xhorxh Soros”, që financon organizata joqeveritare..

Fondacioni i filantropit “Xhorxh Soros”, që financon organizata joqeveritare, ka bërë të ditur se po mbyll zyrën e tij në Hungari, duke fajësuar për këtë ambientin gjithnjë e më represiv. Fondacioni “Shoqëria e hapur” do ta zhvendosë aktivitetin e tij në kryeqytetin gjerman, Berlin.
 
Qeveria e djathtë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka thënë se planifikon të ashpërsojë kufizimet mbi OJQ-të. I rizgjedhur muajin e kaluar, Orban bëri fushatë nën sloganin “Ndal Sorosit”. Vetë Soros mohon akuzat e Orbanit, sipas të cilave fondacioni i tij është pjesë e një plani për të sjellë një numër të papërballueshëm emigrantësh në Evropë.
 
Presidenti i fondacionit, Patrik Gaspard, tha: “Qeveria e Hungarisë po denigron dhe keqprezanton punën tonë, po shtyp shoqërinë civile për hir të përfitimeve politike, po përdor taktika të paprecedenta në historinë e Bashkimit Europian”. Vetë qeveria hungareze nuk ka bërë asnjë koment mbi vendimin.