Maqedoni
PDSh hyn në qeveri, Thaçi: morëm ofertë korrekte nga Zaev
15.05.2018 16:12
Kuvendi qendror i PDSH-së ka pranuar ofertën e kryeministrit, Zoran Zaev, për të qenë pjesë e qeverisë....

Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, e ka cilësuar ofertën si ofertë politike korrekte. Sipas tij, PDSh-ja gjithmonë ka pasur qëndrime konstruktive kur flitet për integrimin euroatlantik të vendit.
“Kemi një ofertë konkrete, korrekte, politike dhe kadrovike nga ana e kryeministrit Zaev, që edhe Partia Demokratike Shqiptare të jetë pjesë e qeverisë së Maqedonisë. Oferta politike ka të bëjë me zhvillime shumë pozitive në rrugën e procesit e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE. Oferta kadrovike ka të bëjë me marrjen e përgjegjësisë konkrete nga ana e PDSh-së. Ju e dini se gjatë gjithë procesit, krizës politike, partia jonë ka pasur qëndrime shumë konstruktive edhe pas krijimit të kësaj qeverie ka vazhduar ky konstruktivitet”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
PDSh do të marrë dy poste në qeverinë Zaev. Ministrin pa resor, përgjegjës për investime të huaja, që do të jetë Bardhyl Dauti dhe postin e zëvendësministrit të transportit për të cilin propozon Musadik Beqirin.
“Pas mbledhjes, kuvendi qendror solli vendim, që të përkrahë ofertën e kryeministrit të Maqedonisë, z. Zoran Zaev, dhe PDSh të jetë pjesë e koalicionint qeveritar. Kuvendi qendror përzgjodhi dy emrat që do të përfaqësojnë PDSh-në dhe atë për ministër për investime të huaja, Bardhyl Dauti, kurse për zëvendësministër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve u zgjodh inxhinieri i njohur, Musadik Beqiri”,- tha Luan Tresi nga PDSh.
Thaçi potencoi se tashmë janë formuar edhe grupet e punës mes partive dhe pritet që shumë shpejt të koordinohen edhe për ndarjet proporcionale të drejtorive.
VISAR SADIKI
