Maqedoni

Rasti “Mitmarrja”, Prokuroria: Zaev tentoi, por nuk morri ryshfet. Zaev: rasti u inskenua për të më diskredituar

15.05.2018 17:40

Prokurorja publike, Valentina Beslimoska, rikualifikoi aktakuzën për rastin “Mitmarrja”, me të cilën akuzohet kryeministri aktual, Zoran Zaev...

Në fjalët përfundimtare të saj,  Beslimoska i kërkoi trupit gjykues që Zoran Zaev të dënohet në bazë të nenit 357, alinea 2 e Kodit Penal, për “tentim”, por jo dhe marrjen e mitos konkrete, siç qëndron në aktakuzën fillestare.
 
Për Beslimoskën, i pakontestueshëm mbetet fakti që Zaev si kryetar komune aso kohe i ka kërkuar ryshfet prej rreth 163 mijë eurove dëshmitarit, Ivan Nikollov, kinse për t’i privatizuar 5 parcelat në të cilën Nikollov është dashur të zgjerojë biznesin.
 
Për palën mbrojtëse, Nikollov mbetet agjent provokues e jo dëshmitar. Avokatët kërkuan nga gjykatësi që të lirojë Zaevin nga akuza e ngritur dhe njëherit i kërkuan atij që gjatë marrjes së aktverdiktin për këtë lëndë, të mos merren parasysh videot dhe audio-incizimet e siguruara me masat e kujdesit dhe të kihet kujdes në dëshmitë kontradiktore të Nikollovit.
 
Nuk është e vërtetë se Zaevi ka kërkuar ose kushtëzuar me mitmarrje Nikollovin, por ka pasur tregim për të dhënë ose jo vullnetarisht donacione për ndërtimin e kishës, theksoi pala mbrojtëse në fjalët përfundimtare. Për Zaevin ky rast është i inskenuar. 
 
“Me rikualifikimin e aktakuzës dhe me paligjshmërinë e masave të veçanta hetimore për incizimin e hapësirave dhe telefonatave të mia, për të satën herë u tregua se sa i keq dhe i madh ka qenë qëllimi për të keqpërdorur institucionet e vendit tim kundër meje, atëherë si lider i opozitës, me të vetmin qëllim për të më penguar dhe diskredituar në shpalljen e “bombave” politike. Gjëja më e vogël që mund të kishte bërë prokuroria ishte rikualifikimi i lëndës për të ruajtur sadopak nderin dhe dinjitetin e Prokurorisë Publike. Është turp për Prokurorinë Publike për gjithçka që ka ndodhur aso kohe lidhur me këtë rast”,- deklaroi i akuzuari në rastin “Mitmarrja”, Zoran Zaev. Zaev gjithashtu u shpreh i kënaqur nga mbarëvajtja e gjithë procesi gjyqësor të ngritur ndaj tij. 
 
Për shkak të rikualifikimit të lëndës dhe dënimin e parashikuar në këtë aktakuzë, vendimin gjyqësor për rastin “Mitmarrja” do ta sjellë vetë gjykatësi, Darko Todorvski, e jo Këshilli gjykues. Për këtë vepër penale ligji parashikon dënim prej minimum 1 deri më 5 vjet burgim. Të hënën në  mesdite shpallet aktverdikti për këtë gjykim. 
 
Ndërkohë, pala mbrojtëse ka ngritur padi penale ndaj prokurorëve publikë të cilët më herët e kanë inskenuar këtë rast.
 
REXHEP QAMILI