Maqedoni
Zgjerimi i qeverisë, Zaev: Hyjnë BESA, PDSh dhe Lidhja e Romëve. Gashi: Morëm ofertë të mirë, konsultohemi me organet
15.05.2018 18:01
Tanimë të gjitha dilemat për kyçjen e subjekteve të reja politike në Qeverinë reformuese kanë mbaruar...

Përveç LSDM-së dhe BDI-së, pjesë e saj do të jenë edhe Lëvizja Besa e Afrim Gashit, e cila do ta ndihmojë shumicën parlamentare me tre deputetë, PDSh-ja e Menduh Thaçit, e cila ka dy deputetë, por edhe Lidhja e Romëve e deputetit, Amdi Bajram, konfirmoi kryeministri Zaev.
“Unë mund të konfirmoj se deri më tani jemi marrë, apo kemi arritur në marrëveshje politike me krahun e Lëvizjes BESA të deputetit, Afrim Gashi, kemi marrëveshje politike me PDSh-në, po ashtu edhe me Lidhjen e Romëve të deputetit, Amdi Bajram, i cili ka vepruar si i pavarur. Për poste nuk kisha përmendur, sepse është e rrugës që organet partiake të këtyre partive të vendosin për të njëjtat dhe emrat. Ndërsa pastaj në fazën e dytë, diku kah fundi i muajit maj, do t’i ndajmë resoret tjera të cilat i përkasin eshaloneve më poshtë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Lideri i Lëvizjes Besa nga krahu i Shkupit, Afrim Gashi, në një takim me qytetarët ka pohuar se Lëvizja Besa ka marrë ofertë shumë të mirë për në Qeveri dhe se Lëvizja Besa do të jetë shumë e vëmendshme në propozimin e emrave për postet në qeverisje.
“Para pak çastesh isha në takim me kryeministrin dhe sinqerisht mora një ofertë shumë të mirë, që BESA të jetë pjesë e Qeverisë. Por, unë jam i bindur se me këtë ofertë ne do të jemi të përfaqësuar denjësisht dhe do të fillojmë të punojmë për atë që kemi folur për tre vite e gjysmë. Njerëzit që do ta përfaqësojnë Besën në pushtetin ekzekutiv, se ne do t’i zgjedhim me shumë kujdes, që të jenë njerëz të ndershëm dhe profesionistë”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.
Emrat e kandidatëve të rinj pritet të zbardhen sonte vonë në organet më të larta partiake. Jozyrtarisht mësojmë se BESA e Gashit do të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, ku me gjasë ky post do t’i takojë degës së Lëvizjes BESA në Tetovë.
FITIM KRYEZIU
