Maqedoni

Dhuna ndaj Ziadin Selës, dëshmia e deputetit, Vllatko Gjorçev: Aco Toshta së bashku me mua i ka mbrojtur deputetët

15.05.2018 18:50

Në Gjykatën Penale në Shkup u zhvillua seanca për dhunën e ushtruar ndaj deputetit, Ziadin Sela, më 27 prill të vitit të kaluar...

Në gjykatë ka dëshmuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Gjorçev. I propozuar si dëshmitar nga pala mbrojtëse, Gjorçev tha se natën e përgjakshme të 27 prillit kur është futur në sallë, ka ftuar deputetë dhe njerëz tjerë për të formuar një kordon dhe për të penguar sulmet e mundshme ndaj deputetëve.
 
Gjorçev shpjegoi se në mesin e atyre që aktivisht kanë ndihmuar për qetësimin e situatës ka qenë edhe i akuzuari, Aco Toshta.
 
I pyetur nga pala mbrojtëse se a e ka parë në atë moment deputetin, Ziadin Sela, Gjorçev tha se këtë të fundit e ka parë në skajin ku kanë qenë të vendosur edhe deputetët tjerë, por se pas disa minutave disa metra larg tij ka parë një mashkull me flokë të gjata dhe me fytyrë mbuluar me gjak.
 
Në ato momente Gjorçev tha se më shumë është munduar të mbrojë turmën e deputetëve dhe është përpiqur në qetësimin e situatës.
 
Ai më tej shpjegoi se pasi është njoftuar për gjendjen e rëndë të deputetit Sela, e ka vizuar atë në katet e larta të Kuvendit dhe se e ka pyetur për grupin e gjakut të cilin e posedon për të bërë veprimet e menjëhershme, duke përgatitur terrenin për ta dërguar këtë të fundit në spital.
 
Sipas Gjorçevit, të shtënat që ka dëgjuar nga polici me emrin Aco, kanë rritur edhe më shumë tensionet atë natë. Për shkak se bëhet fjalë për një rast specifik nga pala e dëmtuar si dhe nga pala mbrojtëse, tha se janë dakorduar të mos prononcohen në media derisa të jepet epilogu përfundimtar.
 
ZEQIRJA MEXHITI