Nimic, sonte vjen në Shkup
Ndërmjetësuesi i çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, sot dhe nesër do të qëndrojë në Shkup, ndërsa Athinën do ta vizitojë më 30 dhe 31 korrik........

Ndërmjetësuesi i çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, sot dhe nesër do të qëndrojë në Shkup, ndërsa Athinën do ta vizitojë më 30 dhe 31 korrik, ku do të zhvillojë bisedime me Qeveritë e të dy shteteve.
Sipas kumtesës së zyrës së ambasadorit Nimic, qëllimi i takimeve është të intensifikohen bisedimet nën patronatin e KB-së, si dhe si të gjendet një zgjidhje e përbashkët për kontestin me emrin. Nimic, në Shkup për herë të parë do të takohet me përfaqësuesin e ri të Maqedonisë në kontestin për emrin dhe ambasadorin në SHBA, Vasko Naumovski.
Javën e kaluar, ndërmjetësi Nimic, në një deklaratë për programin "Zëri i popullit", duke folur mbi bisedimet për kontestin për emrin, ka thënë se kësaj here pret progres të madh në takimet me kreun shtetëror në Shkup dhe Athinë. "Do të kaloj dy ditë në Shkup dhe Athinë me krerë shtetërorë të të dy vendeve, ku shpresoj për një zgjidhje të pranueshme të ndërsjellë rreth kontestit me emrin", theksoi Nimic.
Ndryshe, Nimic gjatë vizitës në shtator, shpalosi pak më shumë rreth zhvillimit të bisedimeve për problemin shumëvjeçar me emrin. Ai, tha se në Athinë ka pasur dy probleme me propozimin e tij, përcaktimin gjeografik dhe vëllimin e përdorimit të emrit të dakorduar, ndërsa Qeveria e Shkupit, ka mbetur në pozicionet afatgjata strategjike.
Ndërkohë, kancelarja gjermane, Merkel, tha gjatë qëndrimit në Dubrovnik se BE është lodhur nga kontesti mes dy vendeve që po kthehet nga problem mes dy vendeve, në problem evropian. Sipas Merkelit, kur bëhet fjalë për kontestin e emrit, duhet arritur kompromis vetëm mes Shkupit dhe Athinës dhe kompromis është kur të gjithë të përfshirët janë njëlloj të pakënaqur.
Mediet greke, ndërkohë shkruajnë për një mobilizim të çuditshëm të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë. Edhe pse Nimic duket të jetë optimist, Athina dhe Shkupi kanë ulur nivelin e pritjeve, shkruajnë mediet greke. Sipas burimeve nga diplomat grek, Nimici nuk do të sjellë as një propozim të ri, shkruan “Katimerini”.
Interesi që tregon Evropa kohët e fundit për Ballkanit Perëndimor, i shqetëson diplomatët grek, të cilët kanë komentuar edhe vizitën e Ministres së Punëve të Jashtme italiane, Federka Mogerini, si kryesuese e BE-së,e cila paralajmëroi hapa konkrete për emrin. (Sanije Kasami, TVM2)
