Maqedoni
Samiti i Sofjes, analistët presin konfirmim të përparimit në bisedime, për zgjidhje duhet kohë
16.05.2018 14:22
Në Samitin e Sofjes do të nënshkruhet një marrëveshje midis Brukselit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor...

Në Samitin e Sofjes do të nënshkruhet një marrëveshje midis Brukselit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me porosinë se këto të fundit konsiderohen si pjesë e familjes europiane, por pa ndonjë epilog konkret për çështjen e emrit.
Profesori i universitetit, Qashif Bakiu, në emisionin debativ “Argument” në TVM2, thotë se në Sofje mund vetëm të konfirmohet përparimi i bisedimeve, ndërkaq emri të zgjidhet pas një periudhe me një marrëveshje komplekse.
“Po, do të ketë një element të atillë me të cilin do të konfirmohet përparimi i bisedimeve. Nëse kjo marrëveshje do të realizohet në Samitin e Sofjes ose në Samitin e NATO-s, mendoj se për një kohë jo të shkurtër, por relativisht pak më tutje, ky problem do të mbyllet, por edhe mbyllja e problemit, por edhe vetë marrëveshja do të jetë komplekse”,- deklaroi profesori i universitetit, Qashif Bakiu.
Analisti politik, Selim Ibraimi, thotë se mund të arrihet marrëveshje dypalëshe për t’u zbatuar metodologjia e zgjidhjes së kontestit për dy vite.
“Do të kërkohet një ose dy vite kohë për t’u plotësuar marrëveshja interne në të cilën flitet që Greqia dhe Maqedonia mund të pajtohen rreth implementimit të pikave në të cilat Maqedonia do të merret vesh, sepse tani siç duket, sipas mediave greke, palët janë marrë vesh për metodologjinë deri në arritjen e çështjes”,- theksoi analisti i çështjeve politike, Selim Ibraimi.
Profesori i universitetit, Isak Sherifi, pret që në Samitin e Sofjes të jepet një kurajo qytetarëve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar, ndërkaq thotë se së shpejti mund të sigurohet numri i votave të deputetëve për ndryshim të kushtetutës.
“Shpresojmë që në Samitin e Sofjes jo të përmbyllet, por të paktën t’i jepet një kurajo vendeve të rajonit dhe njëkohësisht vetë qytetarëve të RM-së... Veçanërisht në katër takimet e fundit nga ana e diplomacisë greke është kërkuar që Maqedonia ta ndryshojë kushtetutën. Tashmë 74 deputetë janë bërë, mendoj që brenda javës tjetër afërsisht do të afrohen numrat. E them me kompetencë të plotë”,- u shpreh profesori i universitetit, Isak Sherifi.
Kërkesa e VMRO-DPMNE-së për takim liderësh në prag të Samitit të Sofjes cilësohet prej analistëve si një kërkesë për të qenë prezentë në media. Ata vlerësojnë se Mickovski nuk arrin të ndahet nga politika e vjetër e VMRO-DPMNE-së për t’iu qasur seriozisht zgjidhjes së mosmarrëveshjes.
MERAL ISMAILI
