Maqedoni
MPB: tregti me lëndë narkotike, gjashtë në pranga
16.05.2018 15:16
Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar pesë persona nga Maqedonia, një i gjashtë është arrestuar në Serbi...

Ministria e Punëve të Brendshme ka arrestuar pesë persona nga Maqedonia, një i gjashtë është arrestuar në Serbi, nën akuzën e tregtisë me lëndë narkotike, në bashkëpunim me një tjetër grup trafikantësh.
Personat u arrestuan pas aksionit të policisë që kontrolloi disa lokacione në Tetovë dhe Prilep, gjatë të cilave u siguruan edhe dëshmitë materiale rreth transporteve të organizuara të kokainës dhe marihuanës. Aksionet për këtë grup kanë filluar qysh në vitin 2017.
“Ministria e Punëve të Brendshme dje, gjatë orëve të mbrëmjes, ka arrestuar pesë persona nga grupi në Maqedoni, ndërsa personi i gjashtë i arrestuar është në Serbi. Gjatë vitit 2017, në territorin e Republikës së Serbisë janë konfiskuar 130 kilogram marihuanë, 500 gram kokainë dhe 1330 gram përzierje, të cilat ky grup ka dashur që t`i transportojë në Republikën e Maqedonisë dhe Serbisë”,- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
B. E., 43 vjeçar nga Tetova, e N. D, 33 vjeçar nga Prilepi, kanë blerë kokainë me vlerë prej 25 mijë euro në Belgjikë, si dhe substancat për përzierje.
Droga duhej të transportohej në Maqedoni e Serbi. N. D. është kapur në kalimin kufitar Serbi - Maqedoni, por ka arritur të ikë nga policia, kurse vetura e tij Mercedes ka mbetur në kufi, ku janë gjetur sasi tjera droge.
Paratë për drogën e Belgjikës janë dhënë nga E. A. 35 vjeç nga Prilepi. Në këtë grup janë edhe J. I. , 41 vjeç nga Tetova, i cili e ka blerë marihuanën dhe e ka fshehur në Kosovë.
Ai bashkë me A. M., 53 vjeç po nga Tetova, e kanë ngarkuar drogën në maunën e 70 vjeçarit I. I. për ta transportuar në Serbi.
Ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për prodhim të paautorizuar dhe lëshim në përdorim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
GYLTENE SINANI
