Ekonomi

Bogov dorëzohet, tërhiqet nga gara. Ivanov fut në garë zëvendësguvernatoren e BPRM-së

16.05.2018 17:27

Në vetëm katër ditë para skadimit të mandatit, guvernatori i BP-së, Dimitar Bogov, tërhiqet nga rikandidimi dhe për këtë e ka informuar edhe presidentin, Gjorgje Ivanov...

Në vetëm katër ditë para skadimit të mandatit, guvernatori i BP-së, Dimitar Bogov, tërhiqet nga rikandidimi dhe për këtë e ka informuar edhe presidentin, Gjorgje Ivanov, i cili e kishte propozuar për një mandat të ri për guvernator.
 
Në një deklaratë me shkrim, Bogov ka theksuar se me kujdes e ka ndjekur debatin në opinion në lidhje me kandidimin e tij dhe vendimin për tërheqjen e tij e ka marrë në bazë të reagimeve të shumta nga aktorët politikë në vend si dhe afateve për zgjedhjen e guvernatorit.
 
“Duke i pasur parasysh reagimet, një pjesë të jetës politike në vend, konstelimin momental politik dhe afatet për zgjedhje të guvernatorit, në interes të vendit tërhiqem nga kandidatura e guvernatorit të BPRM-së, për çka tashmë e kam njoftuar presidentin Ivanov. BPRM-ja nuk guxon të mbetet pa guvernator. Pres zgjidhje në afat sa më të shkurtër, që do të ishte në interes të Republikës së Maqedonisë”, – sqaron Bogov.
 
Pas tërheqjes së Bogovit, presidenti ka caktuar menjëherë kandidatin e ri në garë dhe propozimin e ka dorëzuar në kuvend. Bëhet fjale për Anita Angellovska - Bezhoska, zëvendësguvernatoren aktuale të Bankës Popullore, e cila 8 vite është në funksionin e zëvendësguvernatores, është e angazhuar në sferën e politikës monetare, hulumtive dhe statistike.
 
Për këtë post, edhe partitë shqiptare kanë kandidaturat e tyre. BDI kandidon Fatmir Besimin, ndërsa Aleanca për Shqiptarët ka dalë me emrin e Gazmend Kadriut.
 
Nëse nuk arrihet marrëveshje për guvernatorin e ri, pas skadimit të mandatit të guvernatorit aktual, më 21 maj, Bankën Popullore pritet ta udhëheq këshilli i saj.
 
GAZMEND KURTISHI