Maqedoni
Gashi konfirmon: BESA - pjesë e Qeverisë, do të menaxhojmë kulturën
16.05.2018 18:00
Mbrëmë kryesia qendrore e BESËS së Afrim Gashit i dha dritë jeshile hyrjes në qeveri, sipas dakordimit mes Gashit dhe kryeministrit Zaev...

BESA e ka mbështetur këtë qeveri që në formimin e saj, por dhe në kontinuitet në proceset reformuese, deklaroi Gashi pas mbledhjes së kryesisë.
“Agjenda reformuese, procesi i zgjidhjes së kontestit të emrit, hapja e negociatave për integrim në BE dhe, veçmas, kohezioni i nevojshëm për anëtarësim në NATO, që sot mund të konsiderohet akti më i rëndësishëm historik për vendin, por edhe për shqiptarët, janë detyrime që na bëjnë koshientë për rëndësinë e momentit dhe anës në të cilën ne duhet të jemi të rreshtuar sot. E ne jemi për anëtarësim në NATO dhe për integrim në BE”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
Ministria e Kulturës është pjesa e “kulaçit” qeveritar ndarë për partinë e Gashit. Megjithatë, Gashi nuk tregoi kush do të jetë ministri i ri i kulturës. Tha shkurt se pjesëmarrja e Besës në qeveri është më shumë strategjike se procentuale.
“Jemi të bindur se BESA ka kapacitet të mjaftueshëm intelektual dhe menaxhues që të dëshmojë se ka ide, vizion dhe projekte që mund të ndihmojnë në avancimin e jetës kulturore në vend”,- theksoi kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
Për emrin e ministrit dhe detajet e tjera, Kuvendi Qendror e ka autorizuar Kryesinë Qendrore që të vendosë pasi që të vijnë propozimet nga strukturat e Lëvizjes.
GAZMEND REXHEPI
