Maqedoni

Rasti “Monstra”, PPS: kemi dëshmi të reja për rastin; Avokatët e të dyja palëve, shpresat te PPS

16.05.2018 18:19

Filloi gjykimi për rastin “Monstra”. Prokuroria Speciale Publike ka lexuar aktakuzën e vjetër me të cilën për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës...

Filloi gjykimi për rastin “Monstra”. Prokuroria Speciale Publike ka lexuar aktakuzën e vjetër me të cilën për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës akuzohen Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri.
 
Jashtë kësaj aktakuze mbetet vetëm Sejdi Rami, i cili veç më është liruar nga kjo akuzë. Prokurorja speciale, Fatime Fetai, paralajmëron prova të reja të pazbuluara me të cilat do të zbardhet rasti në fjalë. 
 
“E gjithë procedura gjyqësore është kthyer në fillim, përveç i njërit të akuzuar, Sejdi Ramit, i cili me vendim gjyqësor është liruar nga aktakuza fillestare. Gjatë seancave të ardhshme gjyqësore do të prezantohen provat të cilat më herët ishin prezantuar dhe njeherit do të prezantohen edhe dëshmi të reja nga ana e PPS-së dhe në bazë të të gjitha dëshmive të paraqitura do të ketë ndryshime të aktakuzës aktuale”,- tha prokurorja publike speciale, Fatime Fetai.
 
Në gjykatë dëshmuan edhe Agim Ismailoviç edhe Fejzi Aziri. Të dy mohuan se kanë pasur çfarëdo lidhje me vrasjen në Smillkov dhe njëherit treguan torturën e përjetuar në stacionet policore për të nënshkruar procesverbalin me të cilin ata do të kishin pranuar se kanë kryer vrasjen.
 
Aziri gjithashtu tha se para arrestimit të tij ka pasur kontakte edhe me ish dhe zyrtarë aktualë të BDI-së për të cilën kanë diskutuar për çështje partiake, por jo dhe për këtë ngjarje tragjike. Avokatët e të akuzuarve dhe të viktimave presin që PPS të zbardhë të vërtetën.
 
“Ne edhe më tej vazhdojmë t’i  besojmë PSP-së në zbardhjen e plotë të këtij rasti. Nga seanca e sotme jemi shumë të kënaqur që PPS në një farë mënyrë realizoi një hetim ku të dy akuzuarit sot u morën detaisht në pyetje, që ne si mbrojtje na konvenon për të treguar se personat e akuzuar janë të pafajshëm”,- theksoi avokati i të akuzuarve, Naser Raufi.
 
“Prokurorja publike parashtron shumë pyetje të cilat më herët ndoshta nuk ishin parashtruar e që do të ndikojnë më vonë në zbardhjen e rastit. Vlerësoj se në seancën gjyqësore u dhanë shumë dëshmi kontradiktore nga të dy të akuzuarit me qëllim që ata të tregojnë teorinë e tyre të pafajshme”,- deklaroi avokatja e viktimave, Dafinka Ivanovska.
 
Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 23 maj, ndërsa për gjykatën mbetën të pakapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç, për të cilët janë shpallur urdhërarreste. 
 
REXHEP QAMILI