Botë

Trump: i gatshëm të takoj liderin koreano-verior, Un

17.05.2018 10:39

Presidenti amerikan, Donald Trump, mbetet i gatshëm të takohet me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong-un, muajin e ardhshëm...

Presidenti amerikan, Donald Trump, mbetet i gatshëm të takohet me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong-un, muajin e ardhshëm, pavarësisht një deklarate nga Peniani se vendi komunist nuk është i interesuar të diskutojë kërkesa të njëanshme për heqjen dorë nga armët bërthamore.

I pyetur nëse takimi i planifikuar për më 12 qershor në Singapor është ende në fuqi, Trump tha “do të shohim çfarë do të ndodhë”, duke shtuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim se koreano-veriorët e kanë anuluar atë.

Presidenti amerikan tha se ai do të këmbëngulte në denuklearizimin e gadishullit në takimin me Kim. Koreja e Veriut e përdor denuklearizimin për të përshkruar një proces afatgjatë, në të cilin të gjitha fuqitë bërthamore do të çarmatosen, ndërsa zyrtarë të administratës “Trump” e kanë interpretuar si çmontim dhe shkatërrim të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe programeve të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Kjo paqartësi, që lejon ecjen përpara me planet për takimin e parë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një udhëheqësi koreano-verior, duket se është thelluar gjatë fundjavës, kur John Bolton, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trumpit dhe Mike Pompeo, sekretari amerikan i shtetit, u shfaqën në programe informative për të dhënë versionet e tyre thuajse të ndryshme mbi pozicionin negociues të Shteteve të Bashkuara.