Malajzi, familjarët presin trupat e viktimave të avionit
Shahadat Edid Bej dhe familja e tij, iu drejtuan xhamisë sot për tu lutur në këtë festë të “Fitër Bajramit”.......

Shahadat Edid Bej dhe familja e tij, iu drejtuan xhamisë sot për tu lutur në këtë festë të “Fitër Bajramit”. Por, lutjet sivjet ata i bëjnë pa gjyshen e tyre, Siti Amirah, që humbi jetën kur avioni malajzian “MH17”, u rrëzua në Ukrainë.
83 vjeçarja që është edhe gjyshja e kryeministrit, Naxhib Razak, po kthehej në shtëpi nga Amsterdami, për të kaluar fundin e “Ramazanit” dhe festën e “Bajramit” me familjen. Në shtëpinë në Kuala Lampur, shtrati i saj është i rregulluar duke e pritur ende, familja nuk e ka marrë veten nga humbja.
“Familja është ende e shokuar, ne e prisnim me gëzim të kthehej, të festonim bashkë. Tani gjithçka na duket ndryshe pa gjyshen”- u shpreh familjari, Edid Amirah.
“Po të ishte gjallë, ajo do të na gatuante drekën e “Bajramit”. Është gjyshja ajo që mbante çdo gjë në rregull këtu”- tha familjarja, Xephora Sarah Azzahara.
Familja, shpreson që trupi i saj të kthehet shpejt në vendlindje, që të prehet e qetë.
Kryeministrit i premtuan që do t’i kthejnë trupat e viktimave para “Bajramit”, por procesi i diagnostifikimit pritet të zgjasë. Në dhimbje për qytetarët që humbën jetën gjatë rrëzimit të avionit, Qeveria malajziane po negocion një armëpushim në mes të Forcave Qeveritare ukrainase dhe rebelëve pro-rusë, që luftojnë në lindje të Ukrainës.
Armëpushimi do t’u lejonte qasje hetuesve në vendin ku është rrëzuar aeroplani më 17 korrik. Armëpushimi do të përfshinte një zonë 35 km përreth zonës së rrëzimit të aeroplanit. Hetuesit ndërkombëtar duan që ta hetojnë zonën e rrëzimit të aeroplanit, për të kuptuar shkaqet e vërteta të tragjedisë.
Ata, gjithashtu duan të marrin sendet personale të pasagjerëve dhe disa nga mbetjet mortore që ende nuk janë larguar nga aty. (Sanije Kasami, TVM2)
