PALESTINË

Palestinë, shënohet “Bajrami” nën frikën e raketave

28.07.2014 17:32

Deri tani 1031 njerëz kanë vdekur, 167 mijë të tjerë kërkojnë strehim nëpër shkolla apo ndërtesat e mbetura ende në këmbë.........

Palestinezët në Gaza, luten në xhamitë e dëmtuara nga sulmet ajrore izraelite. Qyteti po përjeton armëpushimin e shkurtër. Derisa ndërkombëtarët kërkojnë  ndërprerjen e luftimeve, Palestina numëron viktimat.

Deri tani 1031 njerëz kanë vdekur, 167 mijë të tjerë kërkojnë strehim nëpër shkolla apo ndërtesat e mbetura ende në këmbë. Fëmijët luajnë edhe në strehimet e tyre provizore. 

“Më mirë  e kishim në shtëpi edhe festa atje ishte më e bukur, nuk na pëlqen kjo luftë. Nuk e di çfarë do të ndodhë, ndoshta do ta gjuajnë edhe shkollën ku jemi tani”- deklaroi Ashraf Zayed.

Familje të tëra flenë nëpër dyshekët e shtruar në tokë, nëpër klasat që janë zbrazur nga bankat.

“Është një festë ku shohim martirizimin e njerëzve tanë, shohim shkatërrim, çfarë feste është kjo? Nuk kemi zemër të shijojmë festën, ushqimi është si helm, ku është bota të na ndihmojë”- theksoi Um Mustafa.

Disa prej tyre, sot vizitojnë varrezat për të vënë lule mbi varret e të afërmve. Sulmet ajrore kanë lënë edhe shumë fëmijë të vdekur.

“Unë jam një nënë që ka humbur djalin e saj. Hapa sytë sot dhe ai nuk ishte pranë meje. Por, jeta e tij nuk do të shkojë kot, Zoti e bekoftë”- u shpreh Abeer Shamale.

Edhe Izraeli, thotë se 43 ushtarë kanë vdekur deri tani bashkë me 3 civilë që kanë mbetur të vdekur nga raketat e Hamasit. Përveç konfliktit në Rripin e Gazës, këtë vit njerëzit luten për përfundimin edhe të konflikteve në Siri, Irak dhe Libi, ku për shkak të luftës, “Bajrami” nuk festohet si çdo kund tjetër. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)