Maqedoni
Takimi Asani – Papukçiski: deri në 2023 lidhja hekurudhore Maqedoni- Bullgari. Asani: po kërkohen mjete për hekurudhën drejt Shqipërisë
17.05.2018 17:05
Deri në vitin 2023 synohet përfundimi i ndërtimit të linjës hekurudhore Maqedoni-Bullgari, në vend të paralajmërimit paraprak se kjo linjë do të ndërtohet në vitin 2025...

Deri në vitin 2023 synohet përfundimi i ndërtimit të linjës hekurudhore Maqedoni-Bullgari, në vend të paralajmërimit paraprak se kjo linjë do të ndërtohet në vitin 2025 u theksua pas takimit të drejtorit të NP “Hekurudhat e Maqedonisë”, Irfan Asanit, me homologun e tij bullgar, Krasimir Papukçiski.
“Falë bashkëpunimit dhe në mes të dy shteteve fqinje, gjejmë mënyra që në vitin 2023 të kemi linjë hekurudhore me ndërtimin e tunelit në Deve Bair. Të dyja anët kemi përcaktuar si qëllim që në vitin 2023 të përshëndetemi në kufirin e tunelit, përkatësisht të takohemi në lidhjen e ndërtuar dhe trenin Shkup - Sofje ta lëshojmë në përdorim”,- tha drejtori i “Hekurudhave të Bullgarisë”, Krasimir Papukçiski.
“E dini që në fazën e parë veç më kanë filluar ndërtimet që moti kohë nga Kumanova në Belakoc, tani së shpejti do të kemi thirrjen publike të përsëritur për pjesën Belakoc - Kriva Pallankë dhe thirrja e ardhshme që do të vijë për pjesën e tretë, kufiri me Bullgarinë, dhe atje kemi të siguruara mjete prej 60 milion euro nga IPA komponenta apo nga BE”,- theksoi drejtori i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë”, Irfan Asani.
Asani në lidhe me linjën hekurudhore Kërçovë – Strugë – Lin, që lidh Maqedoninë me Shqipërinë, theksoi se si ndërmarrje publike kanë përfunduar projektin final, por nisja e punimeve varet nga procedura tjera të cilat nuk janë në kompetencë të NP “Hekurudhat e Maqedonisë”.
“Si ndërmarrje publike kemi përfunduar projektin final dhe jemi gati që nesër të fillojmë me punimet. Janë ca procedura të cilat janë më të mëdha se sa kompetencat tona që kemi dhe në atë drejtim Qeveria e RM-së vetëm ka filluar të bëjë negociata me institucionet financiare të cilat do të financojnë ndërtimin e pjesës së korridorit 8 në pjesën perëndimore. Po bisedohet me disa institucione financiare, njëkohësisht kemi edhe një paralajmërim nga Unioni Europian se një pjesë e financave do të jetë edhe grand apo ndihmë për Maqedoninë si pjesë e procesit reformator, apo procesit të asociimit me Unionin Europian”,- tha drejtori i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë”, Irfan Asani.
Për hekurudhën me Shqipërinë, e cila është në gjatësi prej 63 kilometra, duhet të sigurohen 500 milion euro.
ERSAN PAJAZITI
