Maqedoni
Rasti “Tanku”, PPS kërkon dënimin e Gruevskit dhe Popovskit
17.05.2018 17:28
Përfaqësuesit e Prokurorisë Publike Speciale në fjalët përfundimtare për rastin “Tanku”, që ka të bëjë me blerjen e Mercedesit luksoz prej rreth 600 mijë eurosh...

Përfaqësuesit e Prokurorisë Publike Speciale në fjalët përfundimtare për rastin “Tanku”, që ka të bëjë me blerjen e Mercedesit luksoz prej rreth 600 mijë eurosh, kërkuan dënim për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe ish ndihmës ministrin, Gjoko Popovski.
Nga PPS thonë se Gruevski ka vepruar me vetëdije dhe dëshirë, ku me mjete buxhetore ka keqpërdorur pozitën e tij.
“Në vitin 2011, Ministria e Punëve të Brendshme ka sjellë vendim për blerje të një veture që do të kushtonte më së shumti 243.000 euro, për shkak të buxhetit të varfër të Ministrisë, por me ndikimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar veturë luksoze, ish-ministrja, Gordana Jankullovska, ka nënshkruar vendim për furnizim të veturës prej rreth 600.000 eurosh”,- thanë nga PPS.
Keqpdorimi gjatë shpalljes publike për sigurimin e veturës dhe ndikimi i ish-kryeministrit për blerjen e të njejtës janë vërtetuar edhe nga bisedat e përgjuara që ishin pjesë e dëshmive, shtuan nga PPS.
Më pas, numëruan të gjithë dëshmitë se si është manipuluar furnizimi publik nga ana e të akuzuarit të tretë, ish-shefi i furnizimeve publike në MPB-së, me të cilat u përjashtua konkurrenca.
Ndërkohë që akuza konsideron se paratë për Mercedesin janë harxhuar në formë jo të arsyeshme, për shkak të mënjanimit të konkurrencës, mbrojtja mohon të njejtën.
Ata thonë se sigurimi i veturës ka qenë i nevojshëm për shkaqe teknike dhe të sigurisë. Avokati, Sterjo Zikov, tha se Gruevski nuk e njeh të akuzuarin Popovski, andaj ka qenë e pamundur që ta favorizojnë ndonjë kompani.
Ndërkaq, avokati, Boro Tasevski, mohon “bombat” si dëshmi, pasi që, sipas tij, prokuroria nuk ka propozuar garancë për autenticitetin e tyre.
Të gjithë avokatët mbrojtës gjatë fjalëve të tyre përfundimtare kërkuan lirimin e të akuzuarve nga akuza, pasi që, sipas tyre, PPS nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e të akuzuarve.
FLORIJE BELULI KAMBERI
