Maqedoni

Samiti i Sofjes, konfirmohet mbështetja europiane për Ballkanin Perëndimor; Tusk: Ballkani Perëndimor, prioritet i BE-së; Taxhani: punoni fort për t’u integruar; Borisov: bashkë mund t’i zgjidhim problemet

17.05.2018 17:49

Me një deklaratë të përbashkët prej 17 pikëve, liderët e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmuan mbështetjen për perspektivën europiane të rajonit...

Me një deklaratë të përbashkët prej 17 pikëve, liderët e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmuan mbështetjen për perspektivën europiane të rajonit, si dhe detyrat që duhet të përmbyllen gjatë procesit të eurointegrimeve, duke i vënë theks të veçantë sundimit të së drejtës, reformave në drejtësi dhe luftimit të korrupsionit.
 
Palët janë zotuar në përforcimin e lidhjeve sikurse njerëzore, ekonomike, dixhitale dhe infrastrukturore. Kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk, tha se Ballkani Perëndimor është prioritet kryesor i BE-së dhe se nuk ekziston plan B për Ballkanin Perëndimor, i cili është pjesë e Europës.
 
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet për BE-në.  Sot riafirmuam përkushtimin tonë për perspektivën europiane të mbarë rajonit. BE është dhe do të jetë partneri më i sigurt i Ballkanit Perëndimor. Nuk shoh ardhmëri tjetër të Ballkanit Perëndimor përpos BE-së. Nuk ka alternativë tjetër, nuk ka plan B. Ballkani Perëndimor është pjesë e integruar e Europës dhe ai i përket bashkësisë sonë”,- deklaroi kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk.
 
Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Taxhani, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të punojnë fortë sipas rregullave të BE-së, që t’i bashkëngjiten familjes europiane. Sipas tij, për momentin Serbia dhe Mali i Zi janë në pozicione më të mira në procesin eurointegrueës.
 
“I gjithë Ballkani Perëndimor është Europë. Nëse këto shtete duan të bëhen anëtare të plota të BE-së, duhet të respektohen rregullat tona. Ka vende që po punojnë shumë në drejtimin e duhur. Serbia dhe Mali i Zi janë në pozicion të mirë për momentin dhe duhet të punohet fort në këtë drejtim, sikurse IRJM dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”,- tha kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Taxhani.
 
Nikoqiri i Samitit, kryeministri i Bullgarisë, Borisov, tha se është shenjë e mirë që fokusi i BE-së është vënë në Ballkanin Perëndimor dhe se duhet ta kemi të qartë se vetëm bashkë mund t’i zgjidhim problemet.
 
“Më e rëndësishme është fakti se BE dhe vendet e liderët europianë këtë mëngjes bënë një hap simbolik, shëtitje të përbashkët të Teresa Mejit, Makronit dhe Merkelit, fotografi Thaçi dhe Vuçiç, morëm lajme të mira të shpërndara nga Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras se së shpejti do të dëgjojmë për marrëveshjen e tyre. Të gjithëve na u bë e qartë se problemet të cilat i kemi me lojtarët e mëdhenj gjeopolitikë në botë, zgjidhja e vetme për unionin është të jemi bashkë. Konsideroj se fuqia e BE-së qëndron në unitetin”,- deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
 
Samiti i Sofjes mbahet 15 vite pas Samitit të Selanikut, ku ishte vërtetuar perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që vetëm Kroacia ka arritur t’i bashkëngjitet familjes europiane. Samiti i ardhshëm do të mbahet pas dy viteve në Kroaci.
 
MERAL ISMAILI