Maqedoni
Zaev dhe Cipras, në kërkim të zgjidhjes për emrin. Zaev: njëri nga opsionet, zgjidhje e pranueshme. Cipras: kemi kaluar pjesën më të madh të rrugës
17.05.2018 18:11
Kryeministrat, Zaev dhe Cipras, kanë arritur deri te një opsion, i cili mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët, për t’i dhënë fund kontestit me emrin...

Pas takimit në Sofje, Zaev ka thënë se tani vijojnë konsultimet ne të dyja vendet me faktorët politikë relevantë.
“Biseduam në thelb dhe shqyrtuam disa opsione. Njëri nga opsionet është zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Vazhdojmë me konsultime në shtëpi që të shohim nëse institucionet e sistemit mund praktikisht të implementojnë një zgjidhje të tillë. Nëse është e mundshme, sipas të gjitha gjasave do të kemi zgjidhje. Do të jem preciz dhe i kujdesshëm. Pas tërë asaj që ishte arritur, konstatuam dhe vërtetuam se qëndrojmë pas asaj si kryeministra dhe është mirë që u përfundua. Ajo që mbeti e hapëm nëpërmjet shumë opsioneve dhe vërtetuam një opsion, i cili mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Vetëm se unë jam Zaev, ndërsa kundërpartneri im është Aleksis dhe ne jemi vetëm njerëz. Patjetër të kujdesemi se si kjo në mënyrë institucionale do të implementohet. Patjetër të bisedojmë me presidentët e të dyja shteteve, me liderët tjerë dhe me shefat e opozitës”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkaq, kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka thënë se nuk ka situatë për të dalë me marrëveshje konkrete, por gjithsesi konfirmon se po shqyrtohen detajet dhe se, sipas tij, është kaluar dukshëm rrugëtimi për të arritur deri te zgjidhja.
Ekziston numër i madh propozimesh dhe disa alternativa, por jo marrëveshje. Qëllimi është që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, ka thënë Cipras.
“Besoj se kemi kaluar pjesë të madhe të rrugës, por kemi ende rrugëtim. I shqyrtojmë hap pas hapi të gjitha detajet. Nuk jemi akoma në një pozicion që të flasim për marrëveshje. Do të ketë edhe hapa të tjerë, me qëllim që të takohemi përsëri në fillim të muajit tjetër, nëse krijohen mundësitë”,- tha kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Takimi mes dy kryeministrave, Zaev dhe Cipras, është i dyti me radhë pas atij në Davos të Zvicrës, të cilët janë vënë në përpjekje për të gjetur përfundimisht zgjidhje të kontestit shumëvjeçar me emrin kushtetues të Maqedonisë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
