Fitore për City e Liverpool në Guinnes Cup, Kupa Telekom për Bajernin
Në Pitsburg, kuqezinjtë u mundën nga rezervat e Manchester Cityt me rezultatin 5-1 dhe tani, në dy ndeshje kanë pësuar plot 8 gola duke shënuar vetëm 1, pasi ndeshjen e parë e humbën 3-0 ndaj Olimpiakosit.......

Milani është shkatërruar edhe në miqësoren e dytë të turneut Guinnes Cup. Në Pitsburg, kuqezinjtë u mundën nga rezervat e Manchester Cityt me rezultatin 5-1 dhe tani, në dy ndeshje kanë pësuar plot 8 gola duke shënuar vetëm 1, pasi ndeshjen e parë e humbën 3-0 ndaj Olimpiakosit.
Anglezët shënuan menjëherë dy gola me anë të Joveticit dhe Sinclairit, deri në minutën e 14`, që më pas të thellojnë avantazhin me Navas dhe Ilheanacho. Para përfundimit të pjesës së parë, ishte Muntari ai që shënoi golin e vetëm për Milanin. Në pjesën e dytë, u fut në lojë edhe Mario Balotelli, por as ai nuk ndryshoi asgjë në paraqitjen katastrofike të kuqezinjve, ndërsa Jovetiç kompletoi “manitën” për Manchester Cityn dhe turpin e ri për Milanin.
Në ndeshjen tjetër të grupit B, Liverpool shënoi fitoren e parë në kuadër, duke e mposhtur një super Olympiacos me rezultat 1:0, me të vetmin gol të shënuar nga Raheem Sterling në fillim të ndeshjes. Nga ky moment e tutje, ishte skuadra greke që dominoi në ndeshje, sidomos në pjesën e dytë ku u luajt tërë kohën në pjesfushën e Liverpoolit, dhe përkundër rasteve dhe shtyllës, Olympiacos humbi ndeshjen, edhe pse meritoi më shumë. Pas këtyre sfidave, City, Liverpooli dhe Olympiacos kanë nga tre pikë, por me grekët që kanë luajtur një ndeshje më shumë.
Bajerni i Mynihut e kënaqi trajnerin Pep Guardiola duke fituar Kupën Telekom. Suksesi ndaj Volfsburgut ishte i thellë, 3-0. Tifozët patën mundësi të shihnin edhe një herë se çfarë blerje e madhe është Robert Levandovski.Sulmuesi polak shënoi dy gola. Më parë kishte shënuar një në përgatitore dhe një tjetër në gjysmëfinalen ndaj Mynshengladbahut. Golin tjetër për bavarezët e shënoi i riu Rode.
Ndryshe nga ndeshja ndaj Gladbahut, ku u deshën penalltitë, finalja u mbyll për 45 minuta, pas dy golave dhe dominimit të kampionëve. Kjo ishte hera e parë që Bajerni e fitoi Kupën Telekom, turne i nisur 5 vjet më parë. Tashmë, Guardiola dhe futbollistët e tij do të përgatiten për finalen e Superkupës së Gjermanisë, që do të luhet ndaj Dortmundit, pikërisht në Dortmund.