Maqedoni
Hahn: “Perspektivë e hapur” për Ballkanin Perëndimor
18.05.2018 14:05
BE ripërtëriu në samitin e Ballkanit në Sofie, premtimet e vjetra: anëtarësim por vetëm të bëhen detyrat....

Se kur do të ndodhë kjo, këtë Komisari i zgjerimit të BE, Johannes Hahn nuk e sqaroi as në intervistën dhënë për Dojçe Welen.
Në Samitin e Sofjes, nuk u përmend një datë e qartë antarësimi, por kjo mospëmendje , për eurokomisionerin Hahn, nuk do të thotë një hap prapa nga premtimet dhënë 15 vjet më parë në Selanik.
“Jo, ne kemi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, të cilën e kemi publikuar në shkurt. Ajo tregon qartë një perspektivë evropiane për të gjitha këto shtete. Por ende duhet bërë shumë. Ne jemi në shkëmbim të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me shtetet. Disa kanë ecur më shpejt se të tjera, të gjithë kanë bërë përparime. Një aspekt shumë i rëndësishëm është që këto shtete të përgatiten për një anëtarësim të ardhshëm në BE edhe në infrastrukturë. Ne po punojmë për një zonë rajonale të tregtisë së lirë, që do t’u mundësojë shteteve që të kenë marrëdhënie më të mira tregtare me njëra-tjetrën.Synimi është që të rritet rendimenti ekonomik i të gjithë kandidatëve, që ata të bëhen më solidë dhe rezistencë dhe më të aftë për konkurencë në Evropë”, sqaron Hahn.
Sipas tij, horizonti i një perspektive evropiane shkakton një lëvizje shumë të fortë në çështjet politike në rajon.
“Ne sapo kemi parë që ishte e mundur të zgjidhet një konflikt kufitar pas dy vjetësh e gjysmë midis Kosovës dhe Malit të Zi. Duket se do të kemi së shpejti një zgjidhje në grindjen për emrin e shtetit midis ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe anëtares së BE, Greqi. Dinamika e ka shtyrë përpara edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.Ne kemi thënë gjithmonë qartë dhe këtë e dinë të gjithë: nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri, pa u zgjidhur më parë të gjitha konfliktet bilaterale. Kjo ka bërë tashmë efekt”, thotë Hahn në intervistën për DW.
Përsa I përket përmendjes së vitit vitin 2025 si datë të mundshme anëtarësimi për Serbinë dhe Malin e Zi, po të ecin të gjitha gjërat sipas planit, Hahn thotë se ky vit ka qenë një lloj “date orientuese” dhe vendimet do të merren vetëm në takimin e radhës të Bashkimit Evropian, në fund të qershorit.
