Botë

Raportuesi i OKB-së, Lynk: vrasjet e palestinezëve paraqesin krim lufte

18.05.2018 14:58

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, filloi takimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut...

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, filloi takimi i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara të Palestinës.

Seanca  e jashtëzakonshme është  thirrur me përkrahjen e 26 nga 47 anëtaret e Këshillit. Raportuesi i posaçëm, Michael Lynk, në fjalimin e tij përmes video linkut, tha se ushtarët izraelitë, në 7 javët e fundit, kanë vrarë mbi 100 palestinezë dhe se kanë plagosur 12.000 të tjerë.

“Vrasja e qëllimshme dhe shkaktimi i qëllimshëm i dhimbjeve paraqet shkelje të Konventës së Gjenevës dhe paraqet krim lufte”,- tha Lynk, duke shtuar se për masakrat mbi palestinezët, fajtor kryesor është ushtria izraelite dhe vendimmarrësit në këtë qeveri.

Sipas Lynk, bashkësia ndërkombëtare do të duhet të ushtrojë presion më të madh mbi Izraelin për të përmbushur detyrimet e veta që dalin nga e drejta ndërkombëtare.

Palestinezët kanë të drejtë për protesta të qeta, përfshirë të drejtat tjera që u takojnë, shtoi ai.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, votohet për një projekt-vendim kundër Izraelit, i propozuar me mbështetjen e Turqisë.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për herë të fundit mbajti seancë më 5 dhjetor 2017, për vrasjet e myslimanëve Rohingya në Mianmar.