Maqedoni

Parada e maturës 2018, 1000 maturantë në kuadrilën tradicionale

18.05.2018 15:19

Me dhënien e betimit kundër dhunës dhe me tingujt e operës së Shtrausit, filloi parada e maturës, e cila tuboi 1000 maturantë në vallëzimin tradicional...

Këtë vit maturantët vallëzuan bashkë me moshatarët e tyre nga 62 vende, siç janë Bullgaria, Sllovenia,Turqia, Sllovakia, Kroacia, Hungaria etj.
 
Maturantët thonë se përgatitja për vallëzim ka qenë sfidë të cilën e kanë kaluar me lehtësi.
 
“Dy muaj na u deshën. Për mua ishte lehtë dhe interesante”,- theksoi një maturant.  
 
“Është një vallëzim i lehtë dhe nuk nevojitej kohë për ta mësuar”,- tha një maturante.  
 
“Ishte për ne interesant, njëkohësisht edhe u argëtuam gjatë përgatitjeve për vallëzim”,- deklaroi një maturant.
 
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, përgëzoi maturantët për organizimin e paradës dhe u rekomandoi që entuziazmin që posedojnë ta mbajnë gjatë tërë jetës.
 
“Ju tani po hapni kapituj të ri në jetën tuaj, andaj nëse njeriu arrin sukses që entuziazmin rinor ta mbajë gjatë tërë jetës, patjetër se do arrijë sukses. Prandaj mbajeni energjinë dhe entuziazmin që posedoni dhe në  punën që do e bëni duhet të jeni të përkushtuar dhe atëherë ju them se suksesi nuk do të mungojë”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Parada e maturës fillimisht është organizuar në vitin 2001 në Lubjanë, ndërsa në Maqedoni për herë të parë u mbajt në vitin 2007, në Shkup dhe Ohër.
 
FLUTURA LATIFI