Maqedoni
Ekstradimi i Grujevskit dhe Boshkovskit, Gjykata e lartë greke refuzon kërkesën e RM-së
18.05.2018 15:49
Gjykata Supreme e Greqisë ka refuzuar kërkesën e Maqedonisë për ekstradimin e ish agjentëve...

Gjykata Supreme e Greqisë ka refuzuar kërkesën e Maqedonisë për ekstradimin e ish agjentëve, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të akuzuar në lëndën “Fortesa”, për përgjimet e jashtëligjshme.
Në seancën gjyqësore, e pesta me radhë, Gjykata Supreme e Athinës ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë për ekstradimin e dy të arratisurve. Seanca e fundit për ekstradim të Grujevskit dhe Boshkovskit u mbajt më 27 prill. Për dy ish agjentët, aktualisht zhvillohen tre procese gjyqësore.
I pari për falsifikim të pasaportave, pasi ata u kapën në aeroportin e Selanikut, teksa udhëtonin me pasaporta të falsifikuara në tentim për t’u arratisur drejt Hungarisë. Pas kapjes, ata më 29 nëntor të vitit të kaluar, kërkuan azil në Greqi dhe për këtë zhvillohet një proces i veçantë gjyqësor.
Dëgjimi para Komisionit për azil në Selanik ishte caktuar paraprakisht më 15 shkurt, por edhe ky proces u shty. Dhe rasti i tretë është për kërkesën e arritur në Greqi nga pala maqedonase, për ekstradimin e tyre, paraprakisht më 5 janar, Këshilli i gjykatësve në Selanik vendosi që ata të ekstradohen në Maqedoni, vendim ky që u ankimua menjëherë nga avokatët mbrojtës të cilët e çuan rastin në Gjykatën e lartë greke.
GYLTENE SINANI
