Maqedoni

Kontesti rreth emrit, Arsovski: zgjidhja duket e afërt. Propozimi i pranueshëm për emrin, Ibrahimi: të shohim cili është e si do të pranohet

18.05.2018 16:12

Optimizmi në deklaratat e dy kryeministrave, Zaev dhe Cipras, për çështjen e emrit, pas takimit të tyre në Sofje...

Optimizmi në deklaratat e dy kryeministrave, Zaev dhe Cipras, për çështjen e emrit, pas takimit të tyre në Sofje, për analistët në vend është shenjë e qartë shpresdhënëse se do të ketë zgjidhje.
 
Për më tepër, kur Zaevi foli për dakordimin për një opsion që duket i pranueshëm për të dyja palët, vlerëson analisti politik, Petar Arsovski.
 
Mënyra se si po shkojnë negociatat si dhe presioni ndërkombëtar,  janë faktorët që të bëjnë optimist se jemi në prag të zgjidhjes së kontestit, thotë Arsovski.
 
“Siç dihet, të dyja palët patën deklaruar se shumë pjesë nga negociatat tashmë janë përmbyllur, të pranuara nga të dyja palët dhe tani shihet qartë se nga ajo që mbeti për bisedime nga paketa e fundit,  kanë ardhur në opsion,  i cili mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Kryeministrat ndalen këtu dhe pajtohen se kanë zgjidhje që vlen të kthehen në shtëpi dhe të diskutojnë”,- tha analisti politik, Petar Arsovski.
 
Procesi do të ketë epilog, por duhet parë se si do të reflektohet në raportet e brendshme të Maqedonisë opsioni që po përmendet së fundmi, “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, vlerëson analisti, Selim Ibrahimi.
 
“Duhet parë se cili propozim është pranuar nga qeveria e Maqedonisë dhe pala greke, se ky propozim do të kalojë në Maqedoni. Sa u përket partive politike maqedonase dhe atyre shqiptare, se a do të pajtohen për propozimin e përfolur në mediat e Maqedonisë, duhet parë si do të reagojnë, ato, opozita dhe shoqëria civile për sa i përket njoftimeve se mund të quhet Republika e Maqedonisë së Ilindenit”,- tha analisti politik, Selim Ibrahimi.
 
Gjithsesi se do të ketë problematika në detyrat shtëpiake tek të dyja vendet, pohojnë analistët, por megjithatë janë optimistë se do të kalohet problemi dhe do të kapet treni për të marrë ftesë për anëtarësim në NATO dhe për t’i filluar bisedimet me BE-në.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU