Maqedoni
Bashkëpunimi rajonal, Maqedonia e Bullgaria me një treg energjetik
18.05.2018 16:23
Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy ministrive të ekonomisë për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike...

Marrëveshja u nënshkrua në Sofje nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ministrja e Energjisë e Republikës së Bullgarisë, Temenuzhka Petkova. Iniciativa synon kyçjen e Maqedonisë në tregun e brendshëm të energjisë elektrike në Evropën Juglindore dhe ofron mundësi të reja biznesi për tregtinë ndërkufitare, me qëllim që të arrihet efikasitet, çmime konkurruese dhe standarde më të larta të shërbimeve.
“Përpos kyçjes së vendit tonë në tregun e brendshëm të energjisë elektrike në Evropën Juglindore, operatorët e sistemit të transmisionit do të rrisin kapacitetin për transmetimin ndërkufitar në rajon duke ndërtuar linja të reja, ndërsa autoritetet kombëtare rregullatore do të harmonizojnë kuadrin rregullator për integrimin e tregut”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Nënshkruam marrëveshjen për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike me të vetmin qëllim, që të rrisim sigurinë e importimit të energjisë elektrike në Maqedoni, njëherit të mundësojmë çmime konkurrente për të gjithë furnizuesit të energjisë”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Ky është hap i parë në themelimin e tregut rajonal energjetik, i cili pritet t’i rrëzojë barrierat administrative të cilat në fund i paguajnë qytetarët. Europa Qendrore, Skandinavia dhe vendet e tjera të Europës paraqesin një treg të energjisë elektrike, ndërsa ne në rajon po përpiqemi të kemi tregje të veçanta energjetike, gjë që është jofunksionale”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Të dyja palët do të finalizojnë të gjitha marrëveshjet e nevojshme për zbatimin në kohë të bashkimit të tregut midis Maqedonisë dhe Bullgarisë në kornizën kohore të propozuar, në tremujorin e dytë të vitit 2019.
REXHEP QAMILI
