Maqedoni

Iniciativa “Zhan Mone”, Xhaferi optimist, pret konsensus për konkluzionet. Iniciativa “Zhan Mone”, Vajgëll: vetë ju vendosni për të ardhmen tuaj

18.05.2018 17:08

Në dialogun që po zhvillohet në Ohër në kuadër të iniciativës “Zhan Mone”, ekziston pajtueshmëri mes përfaqësuesve të partive politike...

Në dialogun që po zhvillohet në Ohër në kuadër të iniciativës “Zhan Mone”, ekziston pajtueshmëri mes përfaqësuesve të partive politike, informoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi, që duket i kënaqur që më në fund arriti të ulë në një vend përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
 
Ai pret konstruktivitet në debatin rreth tekstit të Kodeksit etik me të cilin do të rregullohen marrëdhëniet morale-etike nga puna e deputetëve. Kodeksi etik njëherit ishte edhe temë hyrëse në takimin e parë të grupeve parlamentare të cilët po diskutojnë edhe  për rregulloren e Kuvendit dhe pavarësinë buxhetore.
 
“Ka filluar debat mjaft konstruktiv, frytdhënës në kuptimin e asaj që të gjithë partitë politike janë prezentë këtu. Për faktin që janë prezentë këtu nënkupton se ne në këtë debat do të kemi mundësi që me konsensus të arrijmë deri te konkluza përfundimtare për atë se çka duhet të jetë dhe si duhet të duket fillimisht teksti i Kodit etik për funksionim dhe sjellje të deputetëve dhe nga ana tjetër teksti për nevojat e ndryshimit dhe plotësimit të rregullores, duke futur në debat, siç thashë, edhe nevojën për gjetjen e modaliteteve për pavarësinë dhe autonominë më të madhe të punës së Kuvendit dhe pavarësimit të saj nga veprimet e institucioneve të tjera”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Eurodeputeti, Ivo Vajgëll, ndërmjetës në këtë dialogim të politikbërësve në Maqedoni bashkë me eurodeputetët, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan,  pohon se po bisedohet për të gjitha çështjet për të cilat mund të gjendet konsensus. Ai përkujton deputetët se kur ata flasin apo vendosin, duhet të kenë parasysh ardhmërinë e të gjithë vendit. 
 
“Mendoj se mund të arrihet pajtim në disa çështje për të cilat nuk do të vendosim ne, nuk do të vendoset këtu, e as në qendrën “Zhan Mone” në Paris, por do të vendoset në Kuvendin e Maqedonisë. Gjithsesi, bëhet fjalë për ardhmërinë e Maqedonisë, mu për këtë jemi këtu, u angazhuam në Marrëveshjen e Përzhinës dhe nga ato me kënaqësi të madhe mund të themi se vendi ka bërë një hap të madh para me fitimin e garancisë për hapjen e bisedimeve pa kushte për anëtarësim në BE. Kuptohet që për këtë do të vendos Këshilli Europian, por mund të them se jam mjaft optimist”,- u shpreh eurodeputeti,  Ivo Vajgëll.
 
Takimi vlerësohet si realizim i një pjese të reformave në vend, duke pasur parasysh se çështjet për konstituimin e Kuvendit dhe për pyetjet e deputetëve janë pjesë e planit “3-6-9”, dhe i njëjti pritet që në përgjithësi të përmirësojë dialogun politik. Dialogu përmbyllet me një darkë të përbashkët të liderëve të partive politike.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI