Maqedoni

VMRO kërkon takim liderësh. LSDM: Zaev ishte i qartë. Ahmeti:zgjidhja, hap i madh për Maqedoninë

18.05.2018 17:29

Pas paralajmërimit se Maqedonia dhe Greqia kanë opsion i cili për të dyja palët mund të jetë i pranueshëm, ka reaguar opozita maqedonase, VMRO-DPMNE...

Ata sërish kërkuan takim liderësh me qëllim që të anashkalohen spekulimet lidhur me negociatat ndërsa nuk kanë dashur të komentojnë qarkullimin në opinion të propozimit “Maqedonia e Ilindenit” si emër të mundshëm.     
 
“Me qëllim që të shmangen të gjitha dyshimet dhe për të parë se çfarë qëndron pas asaj që fsheh Zaevit dhe LSDM, ne kërkojmë takim urgjent liderësh pa prolongim, ku përveç bartësve të procesit negociues , kryeministrit Zaev dhe ministri i jashtëm Dimitrov, do të merrnin pjesë liderët e partive politike, partitë dhe kryetari i shtetit. Qeveria nuk guxon që ta mbajë shtetin, opinionin, qytetarët dhe mediat në errësirë informative. Nevojitet qasje e pjekur”,- deklaroi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM thonë se kryeministri, Zoran Zaev, ishte i qartë në deklarimet e tij.
 
“Dje kryeministri Zaev ishte i qartë, i tha detajet deri në masë sa edhe ai mundet t’i thotë para opinionit. Nuk do të dëshiroja për një çështje kaq thelbësore për qytetarët e RM-së që të spekuloj. Procesi nga atje u hodh në Maqedoni dhe të gjithë faktorët politikë do të njoftohen, do të debatohet rreth asaj çështje dhe në fund do ta presim produktin final”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Kosta Kostadinov.
 
Ndërkohë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një postim në Facebook shkurt ka shkruar se mirëpret çdo veprim drejt zgjidhjes së emrit.
 
“Mirëpres lajmet e mira nga Sofja dhe progresin e bërë në rrugëtimin tonë euroatlantik. Çdo hap para në gjetjen e kompromisit me Greqinë është hap i madh për Maqedoninë drejt portave të Unionit dhe Aleancës”, - ka shkruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
NAIM RAMADANI