Maqedoni
Guvernatori i ri i Bankës Popullore, partitë ende shqyrtojnë propozimin e presidentit
18.05.2018 18:47
Të hënën, në seancë parlamentare pritet të vendoset propozimi i presidentit, Gjeorge Ivanov, për zgjedhjen e zëvendësguvernatores aktuale, Anita Bezhoska...

Të hënën, në seancë parlamentare pritet të vendoset propozimi i presidentit, Gjeorge Ivanov, për zgjedhjen e zëvendësguvernatores aktuale, Anita Bezhoska, në krye të Bankës Popullore.
Tashmë LSDM ka dhënë aprovimin e saj për propozimin e presidentit. Ende nuk ka një qëndrim të qartë rreth këtij propozimi nga partitë shqiptare.
BDI kishte propozuar për këtë post kandidaturën e Fatmir Besimit, ndërkohë që ka edhe një propozim të deklaruar nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga BDI u shprehën kategorikisht kundër kandiaturës së parë të Ivanovit për një mandat të ri të Dimitar Bogovit, por ende nuk kanë dalë me një qëndrim për propozimin e ri.
Nga VMRO thonë se ende po shqyrtojnë kandidaturën e re të presidentit e më pas do të prononcohen.
“Propozimi ende nuk është diskutuar në organet e partisë. Pas shqyrtimit të tij në organet e partisë, ne do të dalim me një qëndrim të qartë dhe të saktë lidhur me propozimin e ri të Ivanovit, për Anita Bezhoskën, për guvernatore të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë”,- theksoi DRAGAN CUKLEV nga VMRO-DPMNE.
Anita Bezhoska u zgjodh si zëvëndësguvernatore e Bankës Popullore në një votim me konsenzus mes pozitës dhe opozitës, prandaj pritet që VMRO t’i japë mbështetje kandidaturës së saj.
Mandati i guvernatorit aktual përfundon të hënën kur tashmë pritet t’i jepet dritë jeshile nga Kuvendi mandatit 7-vjecar të guvernatorit të ri. Për t’u zgjedhur, kandidatit i nevojiten votat e 61 deputetëve.
