“Republika Ilinditase e Maqedonisë”, Qeveria e Greqisë: Indirekt i thotë jo propozimit; Qeveria e RM-së: Greqia ta mbështes propozimin

20.05.2018 15:17

Pas konsultimeve të kryeministrit grek Aleksis Cipras me presidentin e vendit dhe aktorët politikë në Greqi....

Pas konsultimeve të kryeministrit grek Aleksis Cipras me presidentin e vendit dhe aktorët politikë në Greqi, qeveria greke në mënyrë indirekte e ka refuzuar propozimin “Republika Ilinditase e Maqedonisë”.

Në një njoftim të lëshuar nga kabineti i kryeministrit Cipras, thuhet se është për t’u përshëndetur fakti që pala tjetër në Shkup ka pranuar se nuk mund të ketë zgjidhje “pa erga omnes”, për të gjitha përdorimet.

“E përshëndesim pranimin nga IRJM se nuk mund të ketë zgjidhje të emrit pa miratimin e një emri erga omnes, gjegjësisht për përdorim të përgjithshëm. Megjithatë, i inkurajojmë fqinjët tanë që të vazhdojmë bashkë të punojmë në zgjidhje e zgjidhjes së pranueshme me përcaktues kohor ose gjeografik, mu ashtu siç e parasheh pakoja e propozimeve që na i ka dorëzuar përfaqësuesi special i OKB-së, Methju Nimic”, - thuhet në kumtesën e Kabinetit të Ciprasit. Paraprakisht të gjithë liderët e opozitës greke e kanë hedhur poshtë propozimin Republika Ilinditase e Maqedonisë,  duke vlerësuar se i njëjti “e përforcon irredentizmin” pasi shfaq ambicje për krijimin e  shtetit që përfshin Selanikun dhe shtrihet deri në Detin Egje. 

Por Qeveria e Maqedonisë ka ftuar autoritetet në Athina ta mbështesin propozimin “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, pasi është emrë me përcaktues kohor që thirret në datë konkrete nga e kaluara dhe është mundësi reale për kompromis që i kënaq të dyja palët.

“Me këtë emër bëjmë përkufizim të plotë me rajonin Maqedonija në Greqi. Përkufizim në të gjitha aspektet. Kryengritja Ilinditase është luftë e përbashkët e popullit tonë multietnik për të drejta sociale dhe liri. Dhe nuk ka kurrfar aspiratash teritoriale ndaj asnjë vendi fqinjë, përfshi edhe Greqinë”, thekson qeveria e Maqedonisë.

Në njoftimin e kabinetit qeveritar poashtu thuhet se: “Qeveria e e Republikës së Maqedonisë do ti vazhdojë bisedimet me Qeverinë e Republikës së Greqisë deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të kontestit 25 vjeçar. Asnjëherë nuk kemi qenë më afër zgjidhjes, ndërsa miqësia e dy vendeve dhe dy popujve asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Do ti bëjmë të gjitha përpjekjet të nxjerrim maksimumin nga ky moment pozitiv historik për të dyja vendet”, theksojnë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)