Tema, Ilinditas, Hamiti: Përkthim jo adekuat “Republika Ilinditase e Maqedonisë”

20.05.2018 18:28

“Republika Ilinditase e Maqedonisë” nuk është përkthim adekuat...

“Republika Ilinditase e Maqedonisë” nuk është përkthim adekuat bazuar në rregullat e gjuhës shqip, sepse emrat dhe toponimet në gjuhën shqipe nuk përkthehen në pjesën e tyre përbërëse, thot Albanologu Asllan Hamiti.

Ai sqaron se gjatë përkthimit, duhet pasur kujdes sidomos në sistemin rasor, prandaj në këtë sintagmë emrore duhet të shkojë me emra të përcaktuar në rasa të duhura, përkatësisht  në rastin konkret Republika e Maqedonisë së Ilindenit, që emri republikë të jetë në rasën emërore në trajtën e shquar, ndërsa e Maqedonisë së Ilindenit të jetë në rasën gjinore. 

“Lidhur me propozim e ri për emrin e Maqedonisë në versionin  e përkthyer shqip po  qarkullojnë sintagma të ndryshme emërore, ndër to më të shpeshta: Republika Ilindenase e Maqedonisë, Republika Maqedonia e Ilindenit derisa edhe një përkthim tjetër edhe më i keq, Republika Ilinditase e Maqedonisë. Ritheksojmë se ky propozim duhet shqyrtuar me kujdes,  maturi e përgjegjësi historike, ndërsa nga pikëpamja gjuhësore në natyrën e shqipes është të thuhet: Republika e Maqedonisë së Ilindenit ose shkurtimisht Maqedonia e Ilindenit. Emri Ilinden në funksion të përcaktorit në maqedonisht që i bie,  “Ilindenska” nuk përkthehet në pjesët përbërëse në Ilija me Ilij, pastaj me “den”,  “ditë” edhe një prapashtesë  “enska” me “ase”  për arsye se  emrat dhe toponimet nuk përkthehen në pjesën e tyre përbërëse” – tha albanologu Asllan Hamiti.

Në çdo propozim për emrin, duhet të shikohet aspketi historik,  juridik etimologjik dhe struktura gjuhësore, vlerëson profesori Hamiti, i cili njëherit shton nevojën e pjesëmarrjes së shqiptarëve në këtë problematikë,  me qëllim që emri i ri të përfshijë autenticitetin, trashëgiminë, kulturën dhe civilizimin e shqiptarëve si popull që jeton në Maqedoni. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)