Gjukanoviç zyrtarisht president i Malit të Zi

20.05.2018 20:33

Presidenti i ri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç sot ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit....

Presidenti i ri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç sot ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit me ç’rast zyrtarisht mori detyrën e presidentit.

Gjukanoviç dha betimin në Cetinë, në ditën kur paraardhësit të tij Filip Vujanoviç i skadon mandati.

Si President i shtetit, unë do ti përkushtohem ruajtjes së pavarësinë dhe sovranitetit të Malit të Zi dhe afirmimin e tij si një shtet civil, demokratik, ekologjik dhe shtet i të drejtave sociale bazuar në sundimin e ligjit”, tha Gjukanoviç.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 15 prill, Gjukanoviç fitoi 53.9 për qind të votive, ndërsa ai kishte edhe përkrahjen e shqiptarëve të Malit të Zi. Ai do ta ushtrojë këtë funksion për 5 vite. Presidenti i Malit të Zi përfaqëson shtetin në vend dhe jashtë tij, nxjerr ligje, shpall zgjedhjet parlamentare, propozon kandidatët për kryeministër, president dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në Parlamentin e Malit të Zi.

Presidenti i propozon parlamentit që të shpallë referendum, të miratojë amnisti për vepra penale, ndarjen e mirënjohjeve dhe çmimeve dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me Kushtetutë. Që nga sistemi shumëpartiak, presidentë të Malit të Zi kanë qenë Momir Bulatoviç, në dy mandate, Gjukanoviç një herë dhe Filip Vujanoviç tri herë.