“Levica”, kallëzim penal kundër Zaevit: Me deklaratat për emrin, rrezikon rendin kushtetues

21.05.2018 14:15

Partia e Majtë parashtroi në Prokurori kallëzim penal kundër kryeministrit, Zoran Zaev...

Partia e Majtë parashtroi në Prokurori kallëzim penal kundër kryeministrit, Zoran Zaev, për prishjen e rendit kushtetues të shtetit. Sipas përfaqësuesit të kësaj partie, Dimitar Apasiev, më 17 maj, Zaev, me deklaratat e fundit zyrtare rreth bisedimeve për emrin ka rrezikuar pozitën e Maqedonisë në bisedime dhe e ka vënë shtetin në pozitë të varur nga një shtet tjetër. 

“Me premtimin publik të Zaevit para kryeministrit grek Cipras, për të pranuar ndryshimin e emrit kushtetues për përdorim të përgjithshëm “erga omnes” dhe premtimin se ai do të përpiqet që të ndryshohet emri i shtetit për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, Zaev rrezikoi rendin kushtetues të Maqedonisë”,- tha Dimitar Apasiev nga “Levica”.

ZAEV: ÇMOS PËR ZGJIDHJE. VENDIMIN E MARRIN INSTITUCIONET

Mirëpo, Zaev tha se vendimet i marrin institucionet, ndërsa ai dhe shefi i diplomacisë do të bëjnë çmos për zgjidhjen e këtij problemi, që frenon perspektivat e vendit.

“Edhe një herë do ta përmend, në Maqedoni institucionet marrin vendime. Kryetari i Qeverisë është përfshirë në bisedime së bashku me ministrin e punëve të jashtme dhe do të bëjmë çmos që të gjejmë zgjidhje për këtë problem 25 vjeçar, i cili e frenon Republikën e Maqedonisë në të gjitha perspektivat e saj dhe njëkohësisht frenon qytetarët e Maqedonisë dhe gjithsesi se do të bëjmë çmos që të gjejmë zgjidhje që ruan dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve tanë, gjithsesi duke mbajtur llogari edhe për dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve të Greqisë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Përveç kryeministrit Zaev, “Levica” paralajmëroi mundësinë për zgjerimin e kallëzimit penal edhe kundër shefit të diplomacisë, Nikolla Dimitrov, pasi edhe ai ka deklaruar publikisht se e mbështet këtë propozim të palës maqedonase. (Shpëtim Nuredini, TVM2)