Venezuelë, Maduro fiton zgjedhjet, vendi në krizë ekonomike
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, fitoi një mandat tjetër 6-vjeçar...

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, fitoi një mandat tjetër 6-vjeçar pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita dhe pretendimeve të shumta për manipulim votash.
Një fitore e pritshme kjo, meqë përgjithësisht opozita bojkotoi zgjedhjet. Kandidati i vetëm opozitar në zgjedhje ishte Henri Falcón, i cili hodhi poshtë rezultatin.
Vendi përballet me mungesë të theksuar ushqimesh si pasojë e krizës ekonomike që ka detyruar me mijëra të braktisin Venezuelën, e kjo ka bërë që vetëm 46% e elektoratit të marrë pjesë në zgjedhje.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 67% e tyre votuan për presidentin Maduro. Ai konsiderohet si personi përgjegjës për krizën e thellë në të cilën është zhytur Venezuela, megjithëse për krizën fajëson opozitën dhe armiqtë e huaj.
Pas publikimit të rezultatit, Maduro tha se opozita dhe bota e kishin nënvlerësuar. Zgjedhjet duket se kanë pak rëndësi për shumicën e venezuelianëve, të cilët luftojnë çdo ditë për të ushqyer familjet dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur të ikin nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.
