Guvernatorja e re e Bankës Popullore, Angellovska Bezhovska, mori votat e deputetëve
Me 81 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi zgjodhi Anita Angellovska Bezhovskën për guvernatore të Bankës Popullore....

Me 81 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi zgjodhi Anita Angellovska Bezhovskën për guvernatore të Bankës Popullore të Maqedonisë. Propozimi u mbështet edhe nga VMRO-DPMNE, me arsyetimin se Bezhovska ka treguar profesionalizëm dhe përkushtim në punën e bërë deri më tani.
“Ne zonjën e nderuar do ta mbështesim për guvernatore dhe besoj që ashtu si deri tani siç ka punuar, edhe më tej do të jetë në krye të detyrës, duke pasur parasysh karakteristikat e saj profesionale”,- tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM theksuan se mbështetja edhe e opozitës është dëshmi se kur merren parasysh faktet dhe argumentet dhe kur propozimi jepet në bazë të mendimit logjik dhe profesional, i njëjti mund të jetë i pranueshëm edhe nga palët të cilat kanë mendime të ndryshme.
“Kjo është dëshmi se profesionalizmi, puna me përgjegjshmëri dhe me përkushtim duhet të jenë kritere sipas të cilave duhet të udhëhiqemi në këto vende të rëndësishme, të vijnë njerëz të cilët këtë e kanë merituar, e jo nëpërmjet partive politike apo nëpërmjet servilitetit”,- deklaroi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
VMRO, edhe përkundër votës pro guvernatores së re, kërkoi përgjigje nga LSDM se përse u refuzua kandidatura e ish guvernatorit, Dimitar Bogov, për një mandat të dytë. Nga LSDM thanë se kjo nuk është temë e diskutimit në këtë seancë.
“Kur veç më flisni për argumente dhe fakte, unë do t’ju pyes një pyetje dhe ju lutem të më përgjigjeni. Çfarë të mete i gjetët Dimitar Bogovit gjatë funksionit të tij si guvernator i BPRM-së, përse dhe me cilin argument e kundërshtuat që Dimitar Bogov të jetë edhe më tej guvernator”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
“Unë do të doja të respektoj dinjitetin dhe autoritetin profesional të Bogovit dhe mos të flas për këtë temë. Ne si grup parlamentar nuk kemi marrë propozim që zoti Bogov të jetë guvernator i BPRM-së. Unë në këtë moment nuk mund t’i them arsyet personale të cilat i kam thënë atëherë si koordinator se pse Bogov nuk duhet të jetë më guvernator, sepse nuk është as koha dhe as vendi i duhur që të bëjmë debat rreth karrierës së tij profesionale”,- u shpreh Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Anita Angellovska Bezhovska u zgjodh me propozim të presidentit, Gjorge Ivanov. Ajo për një kohë të gjatë ushtronte funksionin e nënguvernatorit të BPRM-së. Paraprakisht, nga viti 2004 deri në vitin 2010 ka qenë në funksion të kryeekonomistes në BPRM. Ka punuar në pozita të ndryshme edhe në Ministrinë e Financave. (Ersan Pajaziti, TVM2)
