Rasti “Mitmarrja”, Zoran Zaev shpallet i pafajshëm
Gjykata Penale në Shkup ka shpallur të pafajshëm dhe ka liruar nga akuzat...

Gjykata Penale në Shkup ka shpallur të pafajshëm dhe ka liruar nga akuzat në rastin “Mitmarrja” kryeministrin, Zoran Zaev, i dyshuar nga biznesmeni, Ivan Nikollov, si kryetar i komunës së Strumicës se ka kërkuar mito mbi 160 mijë euro për shitje të tokës ndërtimore.
Sipas aktgjykimit, prokurori nuk arriti të dëshmojë që Zaevi e ka kryer veprën penale për të cilën u akuzua për periudhën kur ishte kryetar i komunës së Strumicës. Pas aktvendimit, Zaev deklaroi se është i kënaqur nga aktvendimi, pasi që më në fund ka arritur të dëshmojë pafajësinë e tij dhe se gjyqësori përfundimisht është liruar nga presionet që i ka pasur në të kaluarën.
“Unë sinqerisht prisja aktvendimi të jetë për pafajësi dhe lirim nga akuza, pasi që në procedurën e dëshmive i treguam të gjitha gjërat. Ndodhi rikualifikimi i lëndës dhe logjikisht kjo ishte e pritshme, megjithatë ky është vendim gjyqësor. Unë e ndjeva atë traumë sikur çdo qytetarë dhe jam i lumtur që prita drejtësi”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Ai kërkoi nga institucionet që të publikojnë video-incizimin e plotë që edhe një herë të dëshmojë për opinionin se ai nuk ka kërkuar mito.
“Apeloj institucionet që e kanë të publikojnë këtë incizim, unë nuk e kam. Me vetë publikimin e saj do të mundesha deri në fund të dal faqebardhë. Nëse kanë të drejtë, ta dorëzojnë, unë premtoj se do ta publikoj. Nëse nuk mund ta dorëzojnë, atëherë ata le ta publikojnë. Në tre pjesë ku është shkurtuar saktësisht do të shohin se për çfarë bëhet fjalë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri komentoi edhe akuzat e paraardhësit të tij, Gruevskit, se vendimi gjyqësor për rastin “Mitmarrje” është i dirigjuar. Sipas tij, Gruevski një kohë ishte njohës i mirë i gjyqësorit, por tani gjyqësia nuk kontrollohet më nga Gruevski. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
