Mbrojtja e Ambientit Jetësor, MAJPH me mbështetje financiare për komunat

21.05.2018 17:28

Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor...

Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ndan mjete financiare për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe ndërtimin e sistemit të kanalizimit si dhe sistemin e bartjes dhe filtrimit të ujërave të zeza në qytetin e Shkupit, Tetovës, Manastirit, komunës së Likovës, Shuto Orizares, Vrapçishtit dhe Berovës.

Kjo parashihet me marrëveshjen e nënshkruar nga ministri i ambientit, Sadulla Duraku, me krerët e këtyre komunave. Bëhet fjalë për mjete nga programi për investim në ambientin jetësor, që këtë vit arrijnë shumën prej 45 milionë denarë të paraparë për realizimin e 42 projekteve në 36 komuna.

"Fonde të ndara për projekte në katër sfera, për mbrojtje, ruajtje dhe përmirësim të cilësisë së ujërave, për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, për ngritjen e vetëdijes publike, edukim dhe trajnim në sferën e mjedisit jetësor dhe për nxitjen e studimeve arsimore, hulumtuese dhe zhvillimore, programeve, projekteve dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor dhe natyrës",- tha ministri i ambientit, Sadulla Duraku.

Nga mjetet e ndara për Qytetin e Shkupit do të përfitojë komuna e Çairit, pasi dy milion denarë do të dedikohen për ndërtimin e kanalizimit fekal në kuadër të kolektorit ekzistues.

"Dy milionë denarët e ndara paraqesin një të tretën e mjeteve të nevojshme për realizimin e këtij projekti. Pjesën e mbetur do ta sigurojë Qyteti i Shkupit, me çka banorët në rrugën 155 në Çair do të fitojnë kanalizimin fekal",- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ministri Duraku gjithashtu theksoi se Ministria e Ambientit do të vazhdojë të mbështesë komunat në projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit jetësor, e sidomos në ruajtjen e cilësisë së ujërave. (Gyltene Sinani, TVM2)