“Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, Zaev: Propozimi duhet merret parasysh

21.05.2018 18:37

Kryeministri, Zoran Zaev, ka bërë thirrje për rishikim më të thellë të propozimit për emrin...

Kryeministri, Zoran Zaev, ka bërë thirrje për rishikim më të thellë të propozimit për emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” dhe i njëjti mos të hidhet poshtë. Sipas Zaevit, ky propozim përmbush pritjet e shumicës së qytetarëve të të dy vendeve dhe mund t’i japë fund kontestit shumëvjeçar.

“Unë besoj se mund të gjejmë zgjidhje. Theksoj se bëhet fjalë për pako, nuk flasim për pjesë të veçanta, pasi që nuk mund të pritet ndryshim i Kushtetutës në Maqedoni për çfarëdo zgjidhje, andaj edhe ne pranuam ndryshim të kushtetutës, pasi që është zgjidhje që nuk na ofendon, ruan dinjitetin tonë, ndërsa çështjet e identitetit janë të fiksuara dhe është për t’u vlerësuar”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

MILLOSHOVSKI: QËNDRIM, PASI TË SHIKOJMË DOKUMENTET E MPJ-SË

Opozita maqedonase ende nuk ka një qëndrim rreth propozimit. Ish ministri, Antonio Milloshovski, kërkon që Ministria e Jashtme të dorëzojë në Komisionin për politikë të jashtme në Kuvend procesverbalet e propozimit aktual.

“Është e vështirë të ndërtohet një qëndrim, përderisa ende nuk kemi propozim. Për këtë arsye, si Komision për politikë të jashtme, kërkojmë nga Ministria e Jashtme të na i mundësojë shkresat mbi të cilat bazohet ky propozim i mundshëm,  që të mundemi më pas të ndërtojmë qëndrim si deputetë dhe Komision parlamentar”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

XANAKOPULOS: TË RISHIKOHEN PROPOZIMET E NIMICIT

Opozita greke është kategorikisht kundër fjalës “Ilinden” në emrin e ri me arsyetimin se përmban elemente irredentiste në të. Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitros Xanakopulos, thotë gjithsesi se edhe përkundër propozimit të fundit, zgjidhje më e mirë do të ishte njëri nga emrat që ka propozuar  ndërmjetësi Nimic.

“Ekzistojnë propozime të vëna në tavolinë, por pala greke insiston se propozim më i mirë është zgjedhja e njërin nga emrat që ka dorëzuar ndërmjetësi, Metju Nimic. Por, nuk kemi arritur deri atje, duhet të kalojmë shumë rrugë për të folur për zgjidhje përfundimtare”,- është shprehur Xanakopulos. 

ÇËSHTJA E EMRIT, TAKIM DIMITROV – KOCIAS NË NJU JORK

Palët bëhen gati për një takim të ri në Nju Jork më 24 dhe 25 maj. Pikërisht propozimi “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” do të shtrohet në tavolinën e bisedimeve.

Nga epilogu i takimit varet edhe takimi midis dy kryeministrave, Zaev dhe Cipras, në fillim të qershorit në Prespë. Sa i përket emrit të përmendur të shtunën, se vendi në shqip, sipas propozimit të ri, do të quhej “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, gjë që shkaktoi reagimin e gjuhëtarëve dhe opinionit, Zaev doli me përgjigje se nga përkthimi adekuat nuk ka ikje.

Sipas tij, u takon ekspertëve të gjuhës të tregojnë se si duhet të jetë dhe ashtu do të jetë. Por, me rëndësi është të diskutohet për thelbin e propozimit, e jo për përkthimin e tij aktual. (Meral Ismaili, TVM2)