Maqedoni
Rasti “Titanik 2”, Bedredin Ibraimi: PPS, organ politik
22.05.2018 14:41
Gjykimi për rastin “Titanik 2”, që ka të bëjë me pengimin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ka vazhduar me fjalët hyrëse të palës mbrojtëse....

I akuzuari, Bedredin Ibraimi, e akuzoi PPS-në se vepron në baza politike e jo juridike, por e siguroi se do të dëshmojë se ai nuk ka bërë asnjë veprim të paligjshëm. Ibrahimi deklaroi se nuk ka bërë asgjë të paligjshme dhe se ka vepruar me vetëdije të plotë. Sipas Ibrahimit, bisedat e përgjuara në të cilat dëgjohet të flasë me Menduh Thaçin nuk dëshmojnë asgjë dhe janë thjesht muhabete kafenesh.
“Kjo akuzë është e bazuar në fakte dhe prova të rrejshme. Këto prova të rrejshme e cenojnë legalitetin e procedurës penale. Por, do të dëshmojnë edhe se akuza është ngritur pasi që kishte kaluar afati 18 mujor për 25 ditë. Bisedat e mija të përgjuara janë vetëm muhabete boshe të kafeneve. Duket qëllimi i PPS-së, që të akuzojë sa më shumë politikanët dhe institucionet shtetërore, që të krijojë përshtypjen se shteti është rrënuar dhe tani ata do ta shpëtojnë”,- tha Ibrahimi.
Për dallim prej tij, i akuzuari, Menduh Thaçi, nuk deshi të japë fjalë hyrëse. Avokati tha se do të dëshmojë se Ibrahimi dhe Thaçi nuk kanë bërë asnjë vepër penale dhe se Thaçi në asnjë mënyrë nuk e ka nxitur Bedredinin që të votojë në favor të VMRO-së. Bisedën e përgjuar avokati e quajti vetëm “ironi”.
FLORIJE BELULI KAMBERI
