Konferencë “Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor”, Elezi: Strategjia 2019-2021 përmban barazinë gjinore
Rreth 18% e humbjes në BPV në vendet e Ballkanit Perëndimor shkaktohet nga mospërfshirja e grave....

Rreth 18% e humbjes në BPV në vendet e Ballkanit Perëndimor shkaktohet nga mospërfshirja e grave në tregun e punës, konstatoi raporti i Bankës Botërore.
Kjo tregon se është i pashfrytëzuar kapitali njerëzor dhe potenciali për rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit, vlerëson zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi. Për këtë arsye nevojitet implementimi i instrumentit për buxhetim të përgjegjshëm gjinor, për t’u kontrolluar shpenzimi i resurseve shtetërore, shtoi Elezi.
“Ne si ministri e financave jemi në përgatitjen e reformave të udhëheqjes me financat publike, sidomos në përgatitjen e strategjisë fiskale 2019-2021 në të cilën e kemi të paraparë të rëndësishme komponentën e barazisë gjinore e sidomos edhe në përgatitjen e ligjit të ri, ligjin për buxhet, i cili do të ketë për obligim të gjitha shfrytëzuesit buxhetor t’i respektojnë komponentët buxhetorë lidhur me shpenzimin e mjeteve publike”,- deklaroi zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
CAROVSKA: ÇËSHTJA GJINORE PO DISKUTOHET SI POTENCIAL
Vendi dhe rajoni po diskutojnë çështjen gjinore si potencial, e jo si problem, thekson ministrja e punës dhe politikës sociale.
“Raporti i rregullt buxhetor është mënyra nëpërmjet së cilës ndjekim si harxhohen paratë nga buxheti për njërin apo tjetrin grup. Kjo jep pasqyrë të mirë të shihet se në çfarë drejtimi shkon shteti dhe ku investon. Përfundimisht rajoni po diskuton çështjen gjinore si potencial, dhe jo si problem, dhe kjo më gëzon se nuk mund të përparohet nëse nuk i përfshijmë të gjithë qytetarët, ndërkaq gjysma prej tyre janë gra”,- tha Mila Carovska nga MPPS.
Në bashkëpunim me delegacionin e BE-së, zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe Ambasadën zvicerane, Ministria e Financave do të bëjë ndryshime legjislative lidhur me përforcimin e komponentës së barazisë gjinore në buxhetimin e tyre, u theksa në konferencën rajonale për buxhetim të përgjegjshëm gjinor, buxhet i njëjtë për gratë dhe burrat. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
