Gaza, 60 raketa sulmojnë caqe strategjike dhe civile
Vetëm pak orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paralajmëroi një konflikt të gjatë, Gaza ka përjetuar një nga netët me bombardimet më të rënda nga ajri, deti dhe toka...

Vetëm pak orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paralajmëroi një konflikt të gjatë, Gaza ka përjetuar një nga netët me bombardimet më të rënda nga ajri, deti dhe toka.
60 raketa kanë goditur stacionet televizive dhe ato radiofonike, si dhe objekte të tjera të lidhura me lëvizjen islamike Hamas. Të paktën 60 persona kanë vdekur nga kjo valë bombardimesh.
OKB kërkoi armëpushim humanitar pa kushte me thirje drejtuar palëve të ndalin konfliktin në emër të humanitetit. Por kryeministri Netanjahu thotë se Hamasi e shkeli I pari armëpushimin dhe sulmet e fundit ishin vetëm kundërpërgjigje ndaj tre raketave të lëshuara nga Hamas.
Mbi 1.070 palestinezë, shumica prej tyre civilë, janë vrarë në luftimet që nisëm më 8 korrik. Ndërsa pala izraelite thotë se janë vrarë 53 ushtarë dhe tre civilë. Së paku gjashtë palestinezë janë vrarë në Rafah, ndërsa në eksplodimin në kampin e refugjatëve jashtë Rripit të Gazës, janë vrarë nëntë fëmijë.
Izraeli thotë se vrasjet janë kryer nga raketa e Hamasit, për shkak të gabimit, por zyrtarët palestinezë e fajësojnë Izraelin për këto vrasje.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, avionët izraelitë qëlluan në shtëpinë e ish-kryeministrit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ raportoi se në momentin e sulmit aty nuk ndodhej asnjeri.
Sipas Hamasit, shënjestër e bombardimeve izraelite ka qenë edhe stacioni i vetëm energjitik në Gaza, i cili po digjet në flakë, si dhe televizioni Al-Aksa. Zyrtarët izraelitë akuzuan Hamasin se ka lëshuar 3 raketa në drejtim të Izraelit.
Njëra prej tyre është eliminuar nga sistemi anti-raketor, ndërsa dy të tjerat kanë rënë në një zonë në qendër të Izraelit, por fatmirësisht pa viktima. Dje sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon bëri thirrje për të ndaluar urgjentisht dhunën në Gaza, duke paralajmëruar se territori palestinez është në “gjendje kritike”.
Por, vetëm pak momente pas fjalimit të Ban Ki Moon, agjencitë e lajmeve raportuan se spitali kryesor i Gazës ishte goditur nga një sulm ajror izraelit. Sipas burimeve, të paktën 10 persona kanë vdekur. Ndërkohë që Izraeli deklaron se edhe Hamas ka bombarduar, duke vrarë 4 civilë izraelitë.
MIGENA GORENCA
