Maqedoni
Rikonstruimi i Qeverisë, publikohen emrat e ministrave të rinj
22.05.2018 18:20
BDI dhe LSDM kanë kryer rokadën e paralajmëruar në mes Ministrisë së Drejtësisë me atë të Arsimit...

Ministria e Kulturës kalon në duart e Besës së Afrim Gashit, ndërsa ajo për Investime të Huaja në duart e PDSH-së, ky është epilogu i dialogut mes partive politike në vend për zgjerimin e Qeverisë.
Në kolltukun e ministrave do të ulen: Arbër Ademi në Ministrinë e Arsimit, Renata Deskoska nga Arsimi kalon në Ministrinë e Drejtësisë, Asaf Ademi kuadër i Lëvizjes Besa të Afrim Gashit ulet në postin e ministrit të Kulturës, ndërsa mësohet se dialogu i stërzgjatur është zhvilluar rreth asaj se BESA do të marrë një apo dy zëvendësministra, por Zaev dha epilogun përfundimtar dhe Lëvizjes BESA i ka ofruar postin e zëvendësministrit e Pushtetit Lokal, ndërkohë Bardhyl Dauti nga PDSh-ja do të udhëheq me Ministrinë për Investime të Huaja.
Po ashtu posti i zëvendësministrit të Arsimit do t’i takojë deputetit aktual të LSDM-së, Petar Atanasovit, Asim Musa nga radhët e BDI-së - dega Strugë, do të jetë zëvendësministër i Shëndetësisë, ndërsa Musadik Beqiri - kuadër i PDSh, do të jetë zëvendësministër i ri në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, derisa Andrej Zhernovski do të marrë pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Posti i sekretarit shtetëror të Ministrisë së Drejtësisë i ka takuar Lëvizjes Besës të Afrim Gashit, ku për këtë pozicion është nominuar juristi nga Tetova, Faton Selami, i cili aktualisht është i angazhuar në zyrën e Avokatit të Popullit në Tetovë.
Pasi të zgjidhen ministrat dhe zëvendësministrat dhe të kompletohet kabineti qeveritar, do të ulen përfaqësuesit e partive politike në Qeveri për t’u dakorduar rreth numrit dhe ndarjen e drejtorive.
FITIM KRYEZIU
