Botë
Uilljamson publikon raportin, ka prova për akuza individuale
29.07.2014 16:44
Prokurori amerikan Clint Uilliamson prezantoi sot në Bruksel raportin me rezultatet e hetimeve trevjeçare mbi pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për krime lufte në Kosovë dhe trafik organesh njerëzore nga UÇK.
Sipas tij, ka prova të mjaftueshme për të ngritur një aktakuzë kundër zyrtarëve të UÇK-së për persekutimet e serbëve, romëve dhe kundërshtarëve politikë, por jo edhe për trafikimin e organeve.

Prokurori amerikan Clint Uilliamson prezantoi sot në Bruksel raportin me rezultatet e hetimeve trevjeçare mbi pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për krime lufte në Kosovë dhe trafik organesh njerëzore nga UÇK.
Sipas tij, ka prova të mjaftueshme për të ngritur një aktakuzë kundër zyrtarëve të UÇK-së për persekutimet e serbëve, romëve dhe kundërshtarëve politikë, por jo edhe për trafikimin e organeve.
“Të dhënat e përpiluara nga TFHS-ja tregojnë se elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shenjestër , me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”, deklaroi Clint Uilliamson- Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale.
Kryeprokurori Uilljamson thotë se vepra të ngjashme kanë vazhduar jo vetëm kundër pakicave por edhe kundështarëve politikë shqiptarë.
“Ne kemi konstatuar që disa elementë të UÇK-së ndërmorrën një fushatë të zgjatur të dhunës dhe të frikësimit gjatë viteve 1998 dhe 1999 të drejtuar kundër kundërshtarëve politik shqiptarë kosovarë, e cila gjithashtu përfshinte veprat e vrasjeve jashtëgjyqësore, burgimeve të jashtëligjshme dhe trajtimit çnjerëzor”, tha Uilliamson.
Uilljamson beson se ka prova bindëse që këto vepra janë kryer në mënyrë të organizuar dhe janë miratuar nga individë të caktuar në nivelet më të lartë të udhëheqësisë së UÇK-së. Por ai është I prerë, ky hetim nuk është sulm mbi UÇK-në , pasi shumë kosovarë janë kyçur në UÇK-në me qëllimet më të mira dhe kanë refuzuar kriminalitetin e shfrenuar që ngjau pas luftës.
Dhe shumë prej tyre me guxim kanë dëshmuar kundër atyre që përqafuan kriminalitetin dhe e përdorën UÇK-në për qëllimet e tyre personale. Pra ky hetim bëhet kundër veprimeve penale te individëvedhe jo kundër UÇK-së. Janë individë të caktuar n ëish udhëheqësinë e UCK-së që kanë përdorur dhunë për të fituar fuqi politike dhe pasuri personale. Dhe si individë ata duhet ti mbartin përgjegjësinë personale për krimet e tyre.
Uilliamson thotë se, si rrjedhojë e hetimeve, Task Forca e BE-së do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuzë ndaj pjesëtarëve të lartë të UCK-së të cilët kanë bërë krime ndaj popullatës civile.
Por, sipas tij , aktakuza nuk do të mund të ngrihet derisa të ketë dëshmi të mjaftueshme, megjithëse deklaratat e sotme do të jenë bazë për të ngritur një aktakuzë në të ardhmen.
MEFAIL ISMAILI
